Berisha e refuzoi thirrjen e GJKKO-së, seanca ndaj tij pritet të vazhdojë në mbrëmje

Tiranë, 24 tetor 2023 – Në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) sot (e martë) në orën 14:00 filloi seanca gjyqësore ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Por, seanca u ndërpre, pasi z. Berisha nuk iu përgjigje thirrjes që të paraqitet në gjykatë për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.

Seanca gjyqësore do të vazhdojë po sot në 18:00.

Vendimi për ndërprerjen e seancës u mor pasi avokatët e z. Berisha kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me aktet dhe me dokumentacionine çështjes.

Në gjykatë është paraqitur Genc Gjokutaj, avokati i Berishës. Ai tha se ish-kryeministri Berisha ka bërë kallëzim për shpërdorim detyre ndaj gjyqtares së çështjes, Irena Gjoka, sepse vendimi i saj për masën e sigurisë ndaj tij është shkelje e Kushtetutës.

“Kemi kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Gjykimi është ndërprerë për të shqyrtuar këtë kërkesë. Po presim vendimin ndaj kërkesës për përjashtimin e saj. Ne nuk vijmë këtu që të na jepen dy-tre dorë dhe të lexohen 2 mijë faqe”, tha Gjokutaj.

Vetë Berisha i shpjegoi arsyet e refuzimit të thirrjes së gjykatës për seancë dëgjimore, në një konferencë për medie. Ai tha se do të shkojë në gjykatë sa herë të thirret, por vetëm kur gjykatësi t’ia heqë masën e sigurisë ndaj tij, të cilën ai e cilësoi si antikushtetuese.

“Nuk është se unë nuk e pranoj (ftesën). E deklarova më parë dhe e deklaroj përsëri me sinqeritetin më të madh se unë do të shkoj sa herë të thirrem. Të heqë gjykatësi masën antikushtetuese dhe ta provojë a do të shkoj unë apo jo. Por, vendosja e masës antikushtetuese pa marrë leje nga Parlamenti është përdhosje e Kushtetutës dhe e ligjeve të vendit”, u shpreh ai.

Berisha tha se gjykatësja e rastit, Irena Gjoka, po e shkel Kushtetutën, duke mos kërkuar leje nga Parlamenti. Ai tha se kishte qenë ai që kishte kërkuar që me ndryshime të Kushtetutës deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të mos kenë imunitet, por të barazohen para gjykatës me të gjithë qytetarët e republikës, gjë që ishte refuzuar nga shumica e atëhershme parlamentare.

“Se ka një gjykatëse të papërgjegjshme, vasale, të mjerë, që ia lejon vetes të marrë një vendim, unë nuk mund tia lejoj vetes të shkel Kushtetutën. Që nesër, po të sjellin në parlament amendamentin e vitit 2012, Sali Berisha e voton”, u shpreh ai.

“Unë jam për barazi të qytetarëve para ligjit themelor të shtetit. E kam dëshmuar që nuk kam qenë për asnjë diskriminim mes deputetit dhe zgjedhësit. Në këtë mënyrë siç i bën Edi Rama është republika e kanabisit, drogës“, tha Berisha.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë e thirrjes së protestave kundër, siç u shpreh, procesit politik ndaj tij.

“Asnjë gjë nuk është jashtë tavolinës.  Të gjitha janë në tryezë. Ne, siç e shihni, kemi të bëjmë me një proces monstruoz politik”, tha Berisha.

Të hënën në mbrëmje, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi për vazhdimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për dhëndrrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, dhe masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për ndërtuesin Fatmir Bektashi. Malltezi dhe Bektashi janë të dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.

(r.m.)