Berisha: “Ftoj të gjithë deputetët e PD-së t’i bashkohen shumicës”

Tiranë, 30 prill 2022 – Ish-kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë pas votimit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të partisë, e ka cilësuar Kuvendin e sotëm të PD-së “Kuvend i bashkimit”.

“Ky ishte kuvendi i bashkimit. Sot në sallë ishin me qindra delegatë.  Aty në atë listë ka dhjetëra të propozuar për anëtar të Këshillit Drejtues nga ata demokratët që para 6 marsit qëndruan në pozicion tjetër. Detyra ime është bashkimi i bazës dhe ju i shihni xhirot e ish-kryetarit, për të kuptuar se sa e bashkuar është sot PD-ja në bazë”, ka thënë Berisha.

I pyetur për mungesën e shumë deputeteve të PD-së në Kuvendin e sotëm, ai ka thënë se një pjesë e madhe e tyre ishin në Kuvend, ndërsa për ata që munguan ka përcjellë mesazhin se janë të mirëseardhur t’I bashkohen “trenit shpëtimtar të Shqipërisë”.

“Një pjesë e mirë e deputetëve ishin, një pjesë tjetër nuk ishin. Dy gjëra për ata (që munguan): ky tren s’mund të ndalet kurrë, treni i PD-së të Rithemeluar është treni shpëtimtar i Shqipërisë… S’ka më kohë të shpenzohet me problemet e brendshme, cilido që do t’i bashkohet trenit është i mirëpritur”, ka thënë ai.

“Kam qenë, jam dhe mbetem i interesuar që deputetët t’i bashkohen shumicës së PD-së. Unë i mirëkuptoj vështirësitë, sepse u shkëputën për disa muaj dhe 6 marsi dëshmoi qartë se kush ishte shumicë. Çdo deputeti, në mendjen dhe vlerësimin tim, i takonte të dilte qartë në anën e shumicës. Nuk përjashtohet dhe është jo realiste të pretendohet se nuk ka një rrugturë mes bazës dhe atyre, por këtë e shoh të shërueshme”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se ish-kryetari i partisë, Lulzim Basha, është anëtar i grupit parlamentar të PD-së dhe i partisë dhe është i ftuar t’i bashkohet shumicës.

Ai tha se kryetar i grupit parlamentar të PD-së në vend të Enkelejd Alibeajt, i cili u shkarkua sot nga kjo pozitë, do të jetë ndonjëri nga nënkryetarët e rinj të partisë.

“… do të jetë grupi i ekspertëve që do të përcaktojë procedurën e emërimit të kryetarit të ri të grupit parlamentar, që duhet të jetë njëri nga nënkryetarët e partisë. Nuk kam asnjë emër, sepse s’e di kush do të zgjidhet nënkryetar. Kryetari kolektiv do të propozojë listën e kandidatëve për anëtarë kryesie me nga dy kandidatura. Sot Alibeaj është i shkarkuar nga funksionet dhe do të ndiqen procedurat”, ka thënë Berisha.

(r.m.)