Berisha i rikthehet praktikës së Fatos Nanos

 Kryeministri do t’i japë një rrogë të 13 administratës, të cilën e kishte hequr në 2005 kur erdhi në pushtet

 

Aristir Lumezi

Kryeministri Sali Berisha premtoi dje dhënien e rrogës së 13-të për të gjithë punonjësit e administratës. Sipas Berishës, dhënia e pagës së 13 do nisë nga dhjetori i këtij viti.
“Ne kemi dyfishuar pensionet në fshat, kemi rritur me 80 % pensionet në qytet. Kemi rritur me 120 deri në 150 % rrogat e mësuesve, infermiereve , mjekeve dhe ne do të vazhdojmë të rrisim rrogat edhe këtë vit. Unë u premtoj të gjithë punonjësve të administratës rrogën e 13, duke filluar që nga dhjetori i vitit që vjen. Kjo është rruga, jo dëmtimi juaj, por rritja e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe nxitja e prodhimit tuaj”, tha kryeministri Berisha.
Deklarata u bë gjatë përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Mollas-Selitë Frashër në qarkun e Elbasanit si dhe në inagurimin e fillimit të punimeve të rrugës Mollas-Qendër-Lagjia e Gineve ku shefi i qeverisë përmendi dhe rritjen e pensioneve.
“Ne do ju mbrojmë ju siç ju kemi mbrojtur deri sot. Por ne nga ana tjetër për të përballuar sfidën kemi dyfishuar pensionet në fshat dhe kemi rritur pensionet në qytet dhe rrogat, do të rrisim rrogat”, premtoi Berisha gjatë fjalës para banorëve.

Historiku

Kryeministri Berisha e gjeti rrogën e 13 të administratës në 2005, kur fitoi zgjedhjet dhe mori drejtimin e qeverisë.
Paraardhësi i tij, Fatos Nano i jepte administratës një rrogë shtesë në fund të vitit, ndërsa disa institucione, si doganat dhe tatim taksat ndanin shpërblime sipas realizimit të objektivave të tyre.
Gjithashtu në fund të vitit, edhe pensionistët merrnin një shpërblim, i cili në 2005 ishte 7 mijë lekë të reja e që u përgjysmua një vit më pas në 3500 lekë.
Me ardhjen e kryeministrit Berisha në pushtet, u hoq rroga e 13 dhe shpërblimet, duke nisur edhe rritja graduale çdo vit e rrogave dhe pensioneve.
Në këto tetë vjet qeverisje, pagat e administratës janë thuajse dyfishuar krahasuar me 2005, por ndryshe nga ç’ndodhte deri në 2005, pagat nuk janë indeksuar. Deri në 2005, me ligj, është e sanksionuar që pagat në çdo 1 maj indeksohen sipas normës zyrtare të inflacionit, me qëllim ruajtjen e nivelit të jetesës së punonjësve. Por që prej majit 2006 pagat nuk janë indeksuar sipas nivelit të inflacionit, por kanë pësuar rritje çdo muaj korrik të vitit, ndërsa çmimet kanë lëvizur në mënyrë progresive.