Tiranë, 23 dhjetor 2021 – Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD-së, strukturës së ngritur nga Kuvendi i 11 dhjetorit për drejtimin e përkohshëm të partisë, ishin sot sërish në selinë e PD-së, ku pak ditë më parë paralajmëruan se Bashën do tanjoftonin me shkrim me vendimet e Kuvendit dhe të referendumit.
Në shkresën e përgatitur për zotin Basha, e cila iu lexua paraprakisht gazetarëve, zotit Basha i kërkohet në mënyrë ultimative që të respektojë vendimet për shkarkimin e tij.
“Kërkohet që të merrni të gjitha masat për të jetësuar vullnetin e qartë të demokratëve, duke liruar ambientet e punës së kryetarit të partisë dhe duke kryer dorëzimet tek Komisioni deri më 5 janar”, thuhet në shkresë.
Aty paralajmërohet edhe marrja e situatës në kontroll nga vetë anëtarët, nëse Basha nuk e liron zyrën para 5 janarit.
“Refuzimi i vendimit të Kuvendit Kombëtar, si organi më i lartë statutor i Partisë Demokratike të Shqipërisë si dhe refuzimi i vullnetit të 43385 anëtarëve të PDSH, të cilët ratifikuan vendimin për shkarkimin tuaj, do të detyrojë anëtarësinë të shndërrohet në përmbaruesin politik të vendimit dhe vullnetit të saj”, thuhet në shkresë.
Por, Lulzim Basha bëri të qartë se ai nuk njeh asnjë nga vendimet e marra nga zoti Berisha dhe mbështetësit e tij. Ai foli me tone mospërfillëse ndaj ultimatumit të sotëm.
“PD i ka marrë vendimet e veta dhe do t’u qëndrojë atyre deri në fund. Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit është jo vetëm ndarja nga e shkuara, por dhe përqafimi i së ardhmes. Eshtë zgjedhja e së ardhmes, jo vetëm për ne, por dhe për shqiptarët. Ndaj çdo veprim i PD do të jetë në funksion të njerëzve dhe halleve të tyre. Nuk na plas për karriket e atyre që paskan qenë këtu vetëm për karrike”, deklaroi zoti Basha.
Ndryshe nga dy ditë më parë, kur anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD-së e dëmtuan derën e mbyllur të sallës ku hynë, sot ata e gjetën atë të hapur.
(r.m.)