Tiranë, 16 janar 2022 – Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka nisur të dielën në Shkodër turin e takimeve të tij me mbështetësit e tij, në kuadër të aksionit për “rithemelimin” e Partisë Demokratike.
Berisha iu drejtua të gjithë demokratëve që e mbështesin akoma Lulzim Bashën që të heqin dorë prej tij, duke theksuar se Basha është, siç është shprehur, “turpi i dheut, turpi i historisë”.
“U drejtohem të gjithë atyre demokratëve që Akoma, në mënyrën më të pabesueshme, dëshmojnë mbështetjen më të vogël për Lulzim Bravën: Hiqni dorë prej tij. Hiqni dorë, se ai është turpi i dheut, turpi i historisë. U them deputetëve të Shkodrës, bashkohuni me qytetin tuaj. Ndahuni nga Lulzim Basha se atë e pret vrima e miut nga ky revolucion që nuk ka të ndalur. Askush nuk ka të drejtë të luajë me pluralizmin politik në Shqipëri. Ata që e mbështesin Bashën për kryetar opozite tallen me përçmim ndaj shqiptarëve. Shqiptarët që e mbështesin Bashën tallen me lirinë, me vlerat e pluralizmit, me pluralizmin politik në Shqipëri”, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Nderime për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme. Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje për vdekjen e Ramazan Rragamit, që u ndje gjithë jetën krenar me Shkodrën dhe shkodranët. Dua të ndaj me ju një të vërtetë, që nga fëmijëria ime, besoj nga mosha 14-vjecare, dhe gjer sot, unë udhëtimin drejt Shkodrës e kam udhëtimin më emocional, më frymëzues, sepse Shkodra dhe shkodranët mbi të gjitha janë frymëzim. Shkodra ishte dhe mbetet në të gjitha kohërat bastioni i atdhetarisë. Poetë e shkrimtarë nuk arrijnë kurrë të shprehin madhështinë e shpirtit të këtij qyteti, kontributin e tij në histori. Askush nuk ka duruar me mijëra tortur, sa qytetarët shkodranë, vetëm për t’i thënë të vërtetës të vërtetë, për të mos u manipuluar e mashtruar.
Sot, ne mblidhemi në këtë stadium, në 32-vjetorin e demonstratës së parë të fuqishme anti-komuniste, me të cilën qytetarët e Shkodrës çliruan qytetin e tyre, detyruan regjimin të tërheqë bustin dhe kultin më të egër, më mizor e më barbar të shekullit XX, diktatorin Josif Stalini. Ky është një rast për t’u përulur me nderim para atij grupi, trima e guximtarë, të cilët mobilizuan, organizuan qytetin e mijëra qytetarë, të cilët mbushën sheshet kryesore të qytetit në një demonstratë që ushtoi fuqishëm në Shqipëri e mbarë botën. Ata i thanë botës se Shqipëria nuk do të mbetet kupa e Adriatikut, por do të bëhet vendi i qytetarëve të lirë. Shkodra do të paguante më gjakun e martirëve të saj.
Sot kemi një narko-kryeministër, që shkelmon interesin kombëtar, që vendoset në aleancë me Beogradin kundër Kosovës e kombit shqiptar. Sot kemi një narko-kryeministër, i cili në 7 muaj me aeroplan privat, personal, shpenzon 2.2 milionë euro udhëtime, që të gjitha pa asnjë interes për asnjë shqiptar, përvec vetes së tij. Sot kemi një narko-kryeministër, i cili ka vendosur ligje konfiskimesh pronash, me të njëjtat standarde si në vitin 1946. Sot kemi një narko-kryeministër, i cili në një akt armiqësor ndaj lirisë së cdo shqiptari, mori peng, kapi për zverku, me korrupsion e metoda të tjera, njeriun që ne së bashku 8 vite e mbështetëm me gjithë zemër, me gjithë energjinë e forcën tonë, Lulzim Bravën. Ndaj dhe unë shfrytëzoj këtë takim, t’i bëj thirrje cdo shqiptari të ndalet e të mendojë, t’i bëjë vetes pyetjes “A duhet pluralizmi politik në Shqipëri?” apo të pranojmë monizmin e shëmtuar, nga i cili vuajtëm më shumë se cdo komb tjetër i Evropës.
Ata që mund të mendojnë se krahasimi nuk është i drejtë, u them po çfarë mund të bëjë më shumë një narko-kryeministër, se sa të rrethojë në shtëpinë e demokratëve, me vrasës, trafikantë, të ashtuquajtur në krye të opozitës, të rrethojë me policë e të sulmojë demokratët në mënyrë më të egër, të pajisë bandën e tij me të gjitha mjetet e dhunës të policisë, e t’i vërsulë mercenarët demokratëve, se duan të hyjnë në shtëpinë e tyre. Nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër, nuk ka ndodhur e nuk ndodhin kurrë në një vend të lirë zhvillime të tilla. A mundet një shtet të servirë për opozitë njeriun që rrethohet me banditë e policë, njeriun me të cilin ndan afera korruptive, i mbyll dosje krimi. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri.
(BalkanWeb)