Tiranë / Uashington, 29 maj 2021 – Në Shqipëri, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi të enjten se ka vendosur të hapë një proces gjyqësor për “shpifje”, ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, lidhur me njoftimin ditën e djeshme nga ana e këtij të fundit, se “po shpall përcaktimin publik të shtetasit shqiptar Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë si i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë” duke i ndaluar për pasojë, atij dhe familjes së tij (bashkëshortes dhe dy fëmijëve)hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Në një konferencë për shtyp, zoti Berisha tha se “kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar, si Franca që të ngrejë ndaj zotit Blinken një padi direkte para Gjykatës Korreksionale të Parisit, për shpifje publike”.
Zoti Berisha u shpreh se “për arsye që janë tërësisht të panjohura për mua, Sekretari i Departamentit të Shtetit ka publikuar dje, pa asnjë paralajmërim dhe në mënyrën më të papritur, më shpifëse, vlerësime të gënjeshtërta për personalitetin tim”. Ai nënvizoi, ashtu si dhe në deklaratën e djeshme, se “që kur kam nisur jetën time politike, por ju garantoj se potë shkoni më tutje, që kur kam prekur rrogën e parë në borderot e shtetit dhe deri dje nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që mund të thotë se unë kam qenë i implikuar në një aferë të çfarëdoshme korruptive”.
Zoti Berisha, u shpreh se ai u detyrua të ndërmerrte një veprim të tillë, për shkak të “dinjitetit të nëpërkëmbur”, por se “në mënyrë kategorike ky nuk është një akt kundër SHBA-ve, për të cilat ushqej të njejtat ndjenja por ndaj një njeriu I cili pa rreshtuar as prove, fakt apo argument, ka ngritur akuza që nuk mi kanë ngritur askush kurrë ndaj meje, as kundërshtarët më të egër”.
Akti Anti-Kleptokraci dhe për të Drejtat e Njeriut
Identifikimi i zotit Berisha nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken si person që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për arsye korrupsioni në nivel të lartë bazhet tek Klauzola Anti-Kleptokracisë dhe për të Drejtat e Njeriut, siç quhet neni 7031 (c) i ligjit për Financimin e Departamentit të Shtetit, Operacioneve Jashtë Vendit dhe Programeve që kanë lidhje me to. Kjo klauzolë ka si synim luftën kundër korrupsionit si dhe mbështetjen e të drejtave të njeriut duke vënë në shenjestër aktorë të huaj, të korruptuar apo të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut, të cilëve u mohon vizën amerikane.
Në bazë të kësaj klauzole, Kongresi i kërkon Sekretarit të Shtetit të pengojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të huaj për të cilët shefi i diplomacisë amerikane ka informacion të besueshëm se “kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt në korrupsion në nivel të lartë, përfshirë korrupsion që lidhet me shfrytëzimin e burimeve natyrore, ose për përfshirje në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.
Klauzola parashikon sanksione me mohim vizash edhe për të afërmit e zyrtarit në fjalë.
Masat që shenjestrojnë zyrtarë të huaj të korruptuar apo të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut e kanë zanafillën në ligjin e vitit 2008, por në rrjedhën e viteve Kongresi ka bërë amendime të tjera, ndër to duke specifikuar në vitin 2015 se zyrtarët e shenjestruar mund të identifikohen edhe publikisht nga sekretari i shtetit.
(Zëri i Amerikës)