(Përmbledhje) Pas verifikimit të mandateve dhe identifikimit të 4935 delegatëve u mblodh në Tiranë, Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Partisë Demokratike opozitare
Knid Ndrenika
Makina të policisë së qeverisë socialiste të kryeministrit Edi Rama raportohet se po qëndrojnë përreth selisë së Partisë Demokratike opozitare si gjendje e menduar gatishmërie për zhvillimet e mundshme pasi Kuvendi i Jashtëzakonshëm votoi shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha, Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët, kryesinë dhe shfuqizoi vendimet e derimëtashme.
Për shkarkimin e zotit Basha pas votimit të fshehtë, u numëruan fletët dhe vendimi kalon në referendum partiak më 18 dhjetor.
Deputeti më i votuar i PD-së, i cili theu formulën e herësit në Qarkun e Elbasanit në 25 prill 29021, pasi ishte jashtë numrit të sigurtë, Luçiano Boçi, tha se vendosja e automjeteve të policisë rreth selisë, është provokim me qëllim nxitjen e akteve të papërshtatshme.
“Panik nga qeveria dhe provokim i delegatëve të PD-së me qëllim që të nxisë akte të papërshtatshme, por gjakftohtësia jonë përderisa jemi në atmosferë festive nuk mund të ndodhë asgjë”-tha zoti Boçi.
Pas verifikimit të mandateve dhe identifikimit të 4935 delegatëve u mblodh në Tiranë, Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Partisë Demokratike opozitare.
Ish-kryetari Sali Berisha paralajmëroi që të mos shkelë në Tiranë, presidentin e serbëve Aleksandër Vuçiq, akuzoi kryeministrin Edi Rama për lidhje me Serbinë dhe kundërshtoi “Open Balkan” që tha se ka rrethuar Kosovën si kurrë më parë.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Partisë Demokratike opozitare shkarkoi kryetarin Lulzim Basha, Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët, kryesinë dhe shfuqizoi vendimet e derimëtashme.
Kuvendi i vetëmbledhur nga anëtarësia miratoi 67 ndryshime statutore ku bie në sy neni që shkarkon kryetarin e partisë, pra jo dorëhiqet, kur humbet zgjedhjet.
Kuvendi me mijëra pjesëmarrës ishte fundi i lëvizjes “Foltorja” të ish-kryetarit Sali Berisha pas përjashtimit nga grupi i deputetëve meqë u shpall “Non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion dhe minim të demokracisë.
Ish-president dhe kryeministër Berisha i ka hedhur poshtë akuzat e Uashingtonit duke theksuar se vendimi lidhet me mospajtimin për ndarjen e Kosovës, lobime të qeverisë së Shqipërisë dhe e ka veçuar çështjen personale nga rithemelimi i Partisë Demokratike.
Ish-kryeministri Berisha pati paralajmërim për presidentin e serbëve Aleksandër Vuçiq, akuzoi për lidhje me Serbinë kryeministrin Edi Rama dhe kundërshtoi nismën e “Ballkanit të Hapur”:
“T’i japim fund politikave antishqiptare të Qubriloviqit shqipfolës Edi Rama. Tirana nuk ka qenë si sot epiqendër e Luftës së Ftohtë kundër Prishtinës. “Ballkani i Hapur” është Ballkani i Hegjemonisë serbe, i influencës ruse, të zëvendësojë procesin e Berlinit me procesin e Putinit. Paralajmërojmë Gëbelsin e Millosheviqit, Sllobodanin e ri, mos mendo të vish ndonjëherë në Tiranë”!
Zoti Berisha kritikoi udhëheqjen e partisë për humbjet e vazhdueshme pas 2013 përballë socialistëve që i akuzoi si “të inkriminuar” të kryeministrit Edi Rama.
Kuvendi i parë i vetëmbledhur nga antarësia u zhvillua në ditën e 31-vjetorit të Partisë Demokratike, me ç’rast në selinë qendrore para dhjetëra mbështetësve foli kryetari Lulzim Basha dhe u përurua memoriali me firmat e themeluesve:
“Ditëlindje e thyer për shkak të shkelmimit të një vlere: vendosjes së interesit personal mbi interesin e demokratëve, mbi interesin e Shqipërisë, mbi interesin kombëtar. Por, ne mësojmë dhe ecim përpara”!
Kuvendi i Jashtëzakonshëm votoi kryetar nderi ish-themeluesin, udhëheqësin e Lëvizjes Studentore “Dhjetor ‘90”, deputetin e vrarë Azem Hajdari.
Kuvendi votoi edhe rikthimin e vulës dhe siglës së parë të Partisë Demokratike.