Berisha rikthehet para selisë së PD-së: Aasgjë s’mund të na ndalojë

Tiranë, 9 janar 2022 – Ish-kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, ka shkuar para selisë së partisë, ku  një ditë më parë pati protestë të dhunshme të mbështetësve të tij.

Berisha, në një adresim për mediet nga shkallët e hyrjes në selinë e PD-së, i ka falënderuar pjesëmarrësit në protestë, të cilën e cilësoi si “mision historik të mbrotjes së pluralizimit politik” në Shqipëri. Ai ka thënë se protestuesit e arriteën qëllimin, hapjen e dyerve të blinduara, pavarësisht prej ndërhyrjes së policisë.

“Jam këtu për të shprehur në emër të komisionit të rithemelimit të PD-së përshëndetjet më të zjarrta mirënjohjen më të pakufishme ndaj heronjve të 8 janarit të cilët në një mision historik, me guximin, mençurinë, vetëpërmbajtjen, gjakftohtësinë që karakterizon një shumicë demokratike iu faktuan shqiptarëve se Lulzim Brava është sot një armik po kaq i egër, një fytyrë po kaq mizore ndaj dhe për demokratët shqiptarë. Erdha sot këtu për të falënderuar ata dhjetëra mijëra protestues që erdhën dhe u mblodhën nga të gjitha anët e Shqipërisë, të cilët në një mision historik të mbrojtjes së pluralizmit politik, të parimit themelor, të sundimit të shumicës mbi pakicën, sakrifikuan dhe u larguan pasi hordhi narkobanditë me uniformë përdorën sasi toksike gazi kundër tyre dhe se pavarësisht nga këto, ata siç u konstatua, dyert e blinduara nga Lulzim turpi i hapën”, ka thënë Berisha.

Ai është zotuar se asgjë nuk do ta pengojë dhe nuk do ta ndalojë të vazhdojë atë që ai e ka cilësuar si “mision”, mbrojtjen e pluralizimit politik në Shqipëri.

“Erdha këtu për t’u zotuar se asgjë nuk mund të pengojë dhe ndalojë konsolidimin e pluralizimit politik në Shqipëri. Asgjë nuk do të mund të ndalojë mbizotërimin e vullnetit të shumicës në këtë vend. Asgjë nuk mund të pengojë këtë revolucion paqësor në realizimin e objektivave historike të tij”, ka theksuar ai.

Berisha është solidarizuar me protestuesit e arrestuar nga policia e shtetit.

“Dua të shpreh solidaritetin tim, mirënjohjen e pakufishme, ndaj atyre demokratëve e demokrateve që u arrestuan mbrëmë me listat e dala nga ai që shqiptarët po i thonë ‘jo, Lulzim, por Lulzi’. Në një bashkëpunim të ethshëm me narkopolicinë e Edi Ramës, mbrëmë pas përfundimit të protestës janë formuluar lista dhe janë arrestuar, ndaluar, demokratë, që nuk kishin kryer në mënyrë absolute asnjë lloj akti, për të cilin duan t’i bëjnë përgjegjës. Kjo është një histori tjetër turpi e Lulzim Bravës, e bashkëpunimit të tij si një vegël e Edi Ramës. Gjatë këtyre orëve unë kam marrë me dhjetëra e qindra mesazhe nga demokratët, të cilët janë jashtëzakonisht të inkurajuar në vazhdimin e kësaj beteje, të cilët përjetuan skena që kalonin imagjinatën e tyre”, është shprehur Berisha.

(Panorama.al)