Berlin, 22 shkurt 2023 – Berlinale është rikthyer në format të plotë. Pas dy vjet kufizimesh pandemie Potsdamer Platz sërish gëlon nga vizitorët e shtumtë nga e gjithë bota, fansa që presin për autografe pas hekurave të tapetit të kuq, gazetarë dhe kineastë të akredituar që vrapojnë nga njëra kino në tjetrën. Vetëm radhët e gjatat të filmdsashësve me termus dhe libër në dorë duke pritur me orë të tëra te sporteli i biletave, nuk janë rikthyer. Blerjet tani bëhen vetëm në mënyrë digjitale. 183 filma po shfaqen në këto dhjetë ditë në Berlin, 18 marrin pjesë në garën kryesore për Ariun e Artë, çmimin kryesor të Berlinales, që do të bëhet i njohur të shtunën, më 25 shkurt, në një mbrëmje gala.
Njëri prej protagonistëve më të shquar të Berlinales 2023 e mori Ariun e Artë qysh të martën, 21.02.2022 në mbrëmje: Steven Spielberg, regjisori dhe producenti i famshëm nga Hollywoodi u nderua me Ariun e Nderit për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në botën e kinematografisë. Spielberg, i cli vjen shpesh në Berlin, u prit në sallë me ovacione të gjata me minuta të tëra. Por ai ia ktheu falenderimin dhe mirënjohjen publikut gjerman duke thënë se pikërisht në punën e tij ishte frymëzuar nga shumë regjisorë gjermanë si Friedrich Wilhelm Murnau, Ernst Lubitsch, Rainer Werner Fassbinder, Werner Herzog, Margarethe von Trotta, Wim Wenders, Wolfang Petersen, Volker Schlöndorff e Tom Tykwer. 76-vjeçari Spielberg tha në konferencën e shtypit, para mbrëmjes, se “një çmim i tillë të kthen detyrimisht në të kaluarën dhe të vë në mendime”. Sipas tij, të nderohesh në Berlin, në “njërin nga festivalet më sublime të historisë”, është një arritje shumë e madhe në jetë.
Për nder të tij Berliale shfaq një retrospektive të gjatë me filmat e Spielbergut, duke filluar nga “Jaws” (1975), E.T (1982), Schindlers List (1993) e deri te filmi më i fundit gjysmë-autobiografik “Fabelmans”, i cili është propozuar për shtatë çmime Oscar. Bono, kryesolisti i grupit të muzikës rock U2, që mbajti fjalën e rastit, e quajti Steven Spielberg “shpirtin e kinematografisë”.
Bono i U2-ve i këndon Sarajevës
Por Bono ishte në Berlinale edhe për të marrë pjesë në prezantimin e filmit “Kiss the Future” (shq.: Puthe të ardhmen). Dokumentari rrëfen për lidhjen e grupit të famshëm U2 me skenën punk dhe rock të virteve 1990 në Sarajevë, gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë. U2 do të shkonin më pas, vetëm dy vjet pas luftës së aritur me Marrëveshjen e Daytonit, që të mbanin një koncert, në shtator 1997. Filmi shfaqet në kuadër të serisë Berlinale Specials dhe si producent ka aktorët hollivudianë Matt Damon dhe Ben Affleck.
Regjisori Nenad Cicin-Sain, i cili edhe për arsye biografike nuk i ndan njerëzit në kategori etnike – vetë i lindur në Slloveni, mamanë e ka serbe, babanë kroat dhe gruan shqiptare – tha në kofnerencën e shtypit se kishte vënë re rindezjen e retorikave nacionaliste në territoret e ish-Jugosllavisë, dhe donte të tregonte se çfarë ka ndodhur atëherë. Dokumentari ka të bëjë me rolin e muzikës dhe artit si armë vetëmbrojtjeje, tha Bono.
Solidaritet me Ukrainën
Por nëse në Bosnjë duket se lufta ka përfunduar, Evropa sërish është në luftë. Berlinalja, si festivali më politik kinematografik në nivel botëror, e tregoi qysh në hapje solidarizimin e saj me ukrainasit. Wolodimir Zelenski, presidenti ukrainas, ishte i pranishëm virtualisht në ceremonisë e hapjes më 17 shkurt dhe mbajti një fjalim. Ish-aktori Zelenski u kërkoi kineastëve solidaritet me Ukrainën dhe tërhqoi një paralele me Murin e Berlinit. Në Berlinale 2023, u shfaq edhe dokumentari i aktorit dhe regjisorit të Holliwoodit Sean Penn, “Superpower” (Superfuqi). Filmi portretizon Selenskin dhe ditët para pushtimit rus të Ukrainës, me Penn që fillimisht synonte të bënte një portret të komediantit që është president.
Pesë filma gjermanë në garën kryesore
Kush do ta fitojë Ariun e Artë? Kjo nuk është pyetja e vetme, por është njëra nga pyetjet kryesore që do të përgjigjet të shtunën. më 25 shkurt. A do të jetë fituesi ose fituesja një film gjerman? Gjasat nuk janë të pakta: nga 18 filmat garues, pesë janë gjermanë.
Bujë bëri sidomos pjesëmarrja në garë e regjisores gjermane 81-vjeçare, Margarette von Trotta. Ajo rikthehet në Berlinale pas 40 vjetësh, pikërisht me një inskenim të dashurisë fatkeqe të dy figurave të rëndësishme të letërsisë gjermane, Max Frisch dhe Ingeborg Bachmann.
Në Berlinalen 2023 nuk merr pjesë asnjë film shqiptar. Në kuadër të panarit të filmit European Film Market, u rikthyen edhe Qendrat Kombëtare të Kinematografisë të Kosovës dhe Shqipërisë me stendën e tyre të përbashkët të munguar për dy vjet radhazi. Në këtë kuadër, publikut të fushës iu prezantua edhe filmi i Gentian Koçit,“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, që është propozimi zyrtar i Shqipërisë për çmimin Oskar 2023.
(DW)