Bërnabiq: BE-ja po e toleron Kurtin të mos i zbatojë marrëveshjet

Berlin, 3 nëntor 2022 – Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Bashkimi Evropian po i toleron veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe nuk po e detyron t’i zbatojë marrëveshjet e arritura më parë në Bruksel.

“BE-ja toleron Kurtin kur ai thotë se nuk do të zbatojë marrëveshjet e Brukselit. Në anën tjetër, ata na bëjnë presion ne që të nënshkruajmë marrëveshje të tjera, marrëveshjen finale. U thash atyre se BE-ja është garantuese e marrëveshjeve të Brukselit dhe ata duhet t’i zbatojnë ato, dhe më pas mund të vazhdojmë bisedimet. I pyeta se si mund të flasim për marrëveshje të tjera kur ata nuk mund të garantojnë zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizim të raporteve të vitit 2013”, tha Bërnabiq, pas samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt të enjten, më 3 nëntor.

Bërnabiq tha se ajo ka pasur një drekë pune me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Ajo tha se me dy zyrtarët e BE-së ka biseduar për çështjen e riregjistrimit të automjeteve në Kosovë që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

“Kurti ka shkelur të gjitha marrëveshjet e arritura sa i përket targave, ato të vitit 2011 dhe 2016, por edhe atë të shtatorit të vitit 2021, dhe në mënyrë të njëanshme i ka hequr nga përdorimi targat me status neutral [KS]. Ata thonë se pajtohen që targat KS duhet të ekzistojnë, por shtojnë se nuk mund të bëjnë asgjë për këtë temë, dhe kjo për mua është shkatërruese”, tha ajo.

Bërnabiq tha se gjatë qëndrimit në Berlin ka biseduar edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, “për shumë gjëra”, por jo për propozimin franko-gjerman.

Por, Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë një konference për media, konfirmoi se ka një propozim të Berlinit dhe Parisit për Kosovën dhe Serbinë.

“Sa u përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe Qeveria franceze jemi duke u munduar që ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi një proces ku të dy qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë një marrëveshje”, tha Scholz.

(r.m.)