Bërnabiq: Escobar, një tjetër politikan që kundërshton rezolutat e OKB-së

Beograd, 13 dhjetor 2022 – Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është “një tjetër politikan që me vendosmëri është kundër rezolutave valide të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në disa postime në Twitter, Bërnabiq, ka thënë se Escobar “e ka marrë rolin e Këshillit të Sigurimit dhe me votën e tij unanime, të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë dhe ministres [Viola] von Cramon, të njohur edhe Raportuesja për Kosovën*, e ka anuluar Rezolutën 1244”.

“Kombet e Bashkuara nuk kanë nevojë të organizojnë sesione të Këshillit të Sigurimit, kjo trojkë do të vendosë për të gjitha çështjet globale tash e tutje”.

“Nëse mundem, një pyetje, nëse Rezoluta 1244 nuk është më valide (sepse juve nuk ju pëlqen, ndonëse askujt nuk i bëhet vonë) dhe nëse Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston (siç thotë [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, dhe pasi ju nuk i dënoni deklaratat e tij, ju liderë të mëdhenj) dhe nëse Marrëveshja e Uashingtonit nuk është asgjë pos diçka e së kaluarës, dhe nëse Karta e OKB-së nuk vlen për Serbinë (sepse ju liderët besoni se nuk duhet), atëherë në bazë të cilës marrëveshje/rezolute/parimi duhet të veprojmë ne?” ka pyetur ajo.

Bërnabiq nuk e ka bërë të ditur se cilave deklaratave të Escobarit u është referuar, apo cilave veprime të mekanizmave tjerë ndërkombëtarë.

Deklaratat e saj vijnë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

(REL)