Kragujevc (Serbi), 7 korrik 2022 – Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se ajo nuk e ka të qartë rezolutën e Parlamentit Evropian, e cila u miratua të mërkurën, më 6 korrik, ku kërkohet që dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet me marrëveshje pëfundimtare të bazuar në njohjen reciproke.
Ajo ka thënë se Komisioni Evropian në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian nuk përmendet fare njohja e Kosovës.
“Komisioni Evropian në dokumentin e tij zyrtar, për qëndrimin negociues të kapitullit 35, që në rastin tonë ka të bëjë me Kosovën dhe normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, nuk e përmend askund njohjen, por thotë normalizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve me Prishtinën”, ka deklaruar Bërnabiq, në një përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarëve, në Kragujevc.
“Vetëm mund vetëm ta marrë me mend se Parlamenti Evropian do të udhëzojë Komisionin Evropian të ndryshojë këtë pozicion negociues”, ka shtuar ajo.
“Pastaj, unë nuk e kam të qartë se si do ta ndryshojë pozicionin negociues në mes të procesit të negociatave, sepse këto nuk janë ndryshime të vogla të rregullave. Do të ketë ndryshime të mëdha”, ka theksuar Bërnabiq.
Ajo ka thënë se Brukseli duhet të shpjegojë pozicionin e BE-së lidhur me integrimin e Serbisë.
“Tani po kërkoj nga BE-ja të na tregojë nëse rregullat e lojës po ndryshojnë apo nëse ne e kemi ende pozicionin negociues që e kemi pasur deri tani dhe që kemi në dialog”, ka thënë Bërnabiq.
Në lidhje me kërkesën për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, Bërnabiq ka thënë se Serbia nuk ka një qëndrim përfundimtar, por një kornizë negociuese që ka të bëjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të përbashkët me BE-në, të miratuar nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare.
Më 6 korrik, Parlamenti Evropian e miratoi një rezolutë ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”. Në rezolutë u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë.
Kjo është hera e parë që njohja reciproke përmendet në një dokument të institucioneve evropiane.
Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë dokumente obliguese për shtetet e Bashkimit Evropian.
(r.m.)