Nga Ruben Avxhiu
Media është marrë shumë me përçarjen e madhe në Partinë Republikane dhe refuzimin për të pranuar një kandidat si Donald Trump, por Partia Demokratike është në fakt shumë më e rrezikuar.
Kjo ide ka mbizotëruar në analizat e kësaj jave në median amerikane. Bernie Sanders mbase nuk ia merr dot kandidaturën e partisë ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, por ai ka mjaftueshëm forcë që t’ia sabotojë garën për në Shtëpinë e Bardhë.
Përfituesi i kësaj përçarjeje do të jetë Donald Trump. Vërtet ky i fundit nuk do t’i bindë dot të gjithë republikanët që të votojnë për të në nëntor, por ai nuk ka ndonjë rival tjetër në këmbë nga krahu konservator. Të gjithë janë tërhequr. Ted Cruz, Marco Rubio dhe John Kasich refuzojnë të kërcejnë në “Trenin Trump” por duke respektuar traditën politike amerikane kanë dalë nga gara.
Hillary Clinton nuk e ka këtë luks. Kundërshtari i saj Bernie Sanders nuk pranon ta mbyllë fushatën e tij edhe pse numrat nuk janë me të. Vërtet që ka fituar në shumë shtete por numri i delegatëve të tij në Kuvendin Kombëtar nuk do ta arrijë dot shumicën.
Pse nuk heq dorë ai? E para sepse sa kohë që ka një shans aritmetik në teori që ai mund të arijë shumicën, ai nuk do të heqë dorë nga përpjekja. Së dyti, sepse në mendjen e tij, Sanders është duke filluar një “revolucion”, fitorja e të cilit nuk varet nga këto zgjedhje presidenciale, por nga ndikimi që do të ketë në politikën amerikane në të ardhmen. Dhe së treti, për arsye thjesht njerëzore, që janë sa banale aq edhe të kuptueshme. Sanders është 74 vjeç. Kjo është sipas të gjitha shanseve beteja e fundit politike e jetës së tij. Pas saj, senatori nga Vermonti do të fillojë rrëshqitjen drejt pensionit politik e profesional. Për momentin ai trajtohet si një yll rrokenrolli nga turmat e të rinjve radikalë që adhurojnë majtizmin e tij të pastër. Sanders po përjeton ndoshta fazën më të lumtur të jetës së tij dhe do të bëjë çmos që ajo të zgjasë sa më shumë.
Kam shkruar edhe njëherë se si shpreson ta përmbysë situatën ai. Shpresa e tij është sidomos një fitore në California dhe shtete të tjera që do t’i bindin superdelegatët, këta qindar zyrtarë dhe ligjvënës demokratë që të heqin dorë nga preference e tyre për Hillary Clinton dhe të votojnë në Kuvend ashtu si kanë votuar shtetet nga vijnë dhe rinia demokrate.
Shanset janë që Clinton të fitojë në California, të arrijë shumicën dhe të mbajë besnikërinë e kupolës së partisë. Ajo do të kurorëzohet në Kuvendin Kombëtar, me apo pa pëlqimin e mbështeësve të Sanders-it.
Por krahu radikal i partisë mund të hakmerret duke mos votuar për të në nëntor. Duke e lënë Hillary Clinton përballë Donald Trump me vetëm gjysmën e partisë në krah të saj. Kjo do të ishte një tradhëti e madhe, po nga pikëpamja e mbështetësve më të flaktë të senatorit Sanders, tradhëtia e vërtetë ka qenë animi i kupolës së partisë më Hillary Clinton, qysh nga fillimi duke e bërë garën të pabarabartë.
Ironia është se tetë vjet më parë, në 2008, Hillary Clinton bëri diçka të ngjashme kundër kandidatit Barack Obama. Ashtu si Sanders sot, Clinton refuzoi të dilte nga gara deri në momentin e fundit. Edhe atëhere përkrahësit e saj, shumica gra, kërcënuan se në nëntor Obama do të ishte pa ndihmën e tyre.
Nuk ishte rastësi që John McCain zgjodhi Sarah Palin si kandidate për zv-presidente. Ishte një sinjal që gratë demokrate të pakënaqura të kalonin në anën e tij. Kjo lëvizje nuk pati sukses. Në fund, partia u bashkua, pas pajtimit dhëmbështrënguar Obama-Clinton.
Tani Hillary Clinton është Barack Obama, ndërsa Bernie Sanders është Hillary Clinton e 2008-s. A do të përsëritet historia? A do të bashkohen dy kundërshtarët, apo përçarja është bërë aq e thellë dhe fatale sa Sanders mund “të çmendet” dhe të kandidojë si i pavarur?
Në vend të vitit 2008, demokratët po shikojnë me tmerr nga skenari i vitit 2000, kur kandidati i të gjelbërve, Ralph Nader hyri në garë si kandidat i tretë dhe mori vetëm 2%, vota që do të shkonin normalisht te Al Gor dhe demokratët, duke bërë që republikani me pak shanse, George W Bush, të zgjidhej President.
Cila prej dy historive do të përsëritet tani?