BERZH do të mbështesë me 400 milionë euro realizimin e projekteve të ndryshme në Kosovë

Londër, 26 shkurt 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Odile Renaud-Basso, kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi, me vlerë prej 400 milionë eurosh.

Kryeministri Kurti, në një postim në platformën X, ka thënë se nga partneriteti me BERZH-in Kosova pritët të përfitojë mbështetje financiare prej 400 milionë eurosh për investime në sektorët kryesorë në periudhën 2024–2027.

Kurti ka thënë se kjo shumë është më e madhe se shuma e kredive dhe granteve që ka marrë Kosova prej vitit se Kosova është anëtare e kësaj organizate, të cilat arrijnë 340 milionë euro.

“Partneriteti me BERZH-in është më i fortë se kurrë. Sapo kam nënshkruar një Memorandum të marrëveshjes me Presidenten Odile Renaud Basso për 400 milionë euro investime në sektorët kryesorë për periudhën 2024–27—më shumë se 340 milionë euro në kredi dhe grante sovrane gjatë tërë 11 viteve që Kosova është bërë shtet anëtar”, ka shkruar Kurti.

Memoranumi është nënshkruar në margjina të Samitit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor 2024, në Londër.

Në fjalën e tij në këtë samit, Kurti ka kërkuar mbështetje financiare për projekte të ndryshme zhvillimore, duke vënë theksin te projektet infrastrukturore me karakter rajonal. Ai ka veçuar projektin për hekurudhën Kosovë- Shqipëri, autostradën Prizren – Tetovë dhe rrugën mes Kosovës e Malit të Zi.

“Në këto 3 vite (të qeverisjes) kemi dyfishuar si eksportet ashtu edhe investimet e huaja direkte. Ne kemi nevojë për më shumë investime, por Kosova është shumë e përshtatshme për investime të huaja sepse kjo tashmë po ndodh. Pra, ne kemi nevojë për më shumë”, ka thënë Kurti.

(r.m.)