Londër, 26 shkurt 2024 – Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) njoftoi për miratimin e një kredie prej 98.75 milionë eurosh për Shqipërinë. Kjo kredi është deastinuar për rehabilitimin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, projekt ky që bashkëfinancohet nga Banka Evropiane e Investimeve dhe nga Bashkimi Evropian.
Linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, e cila është aktualisht në ndërtim, pritet t’i shtohet në të ardhmen edhe segmenti Vorë-Hani i Hotit, duke krijuar në këtë mënyrë një lidhje hekurudhore për pasagjerë dhe mallra të shpejtësisë së lartë për në Malin e Zi dhe më tutje.
Projekti me vlerë 373 milionë euro financohet me gati 130 milionë euro para dhuratë nga Bashkimi Evropian si dhe kredi të akorduara nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Linja hekurudhore është 120 kilometra e gjatë dhe financimi i saj bëhet në kuadër të Rrjetit Trans-Evropian të Transportit. Ajo është deri më sot lidhja e vetme hekurudhore.
Linjat hekurudhore shqiptare filluan të ndërtohen gjatë Luftës së Dytë Botërore ndërsa gjatë kohës së Komunizmit u ndërtuan lidhjet Shkodër-Vlorë, Durrës – Guri i Kuq në Pogradec si dhe dy zgjatime industriale drejt Fier – Ballsh dhe Milot – Klos.
Linjat hekurudhore u braktisën nga udhëtarët për shkak të ngadalësisë së trenave ndërsa investimet aktuale janë të parat në këtë sektor që nga rënia e komunizmit.
(Reporter.al)