Besimtarët katolikë i japin lamtumirën ish-Papës Benedikti

Vatikan, 2 janar 2023 – Mijëra besimtarë katolikë i janë drejtuar Vatikanit. Deri të mërkurën vizitorët do të kenë mundësi t’i thonë lamtumirë ish-Papës.

Që në orët e para të mëngjesit të së hënës në sheshin e Shën Pjetrit në Romë shihej një rradhë e gjatë njerëzish që duan të ndahen personalisht me ish-kreun e kishës katolike. Trupi i ish-Papa Benediktit XVI është vendosur në Katedralen e Shën Pjetrit.

Deri të mërkurën vizitorët do të kenë mundësi t’i thonë lamtumirë ish-Papës. Mijëra besimtarë katolikë i janë drejtuar Vatikanit. Priten deri në 35.000 vizitorë në ditë. Katedreja e Shën Pjetrit është e hapur deri në orën 19:00. Por ndryshe nga lamtumira për Papën Gjon Pali II në prill 2005, nuk pritet një fluks i jashtëzakonshëm njerëzish në Vatikan. “Ky është një moment zie, ne jemi disa ditë këtu dhe do të shkojmë patjetër të themi një lutje”, thonë dy turistë nga veriu i Italisë. Nga Polonia ka ardhur Dariusz, që do t’i thotë lamtumirë ish-Papës. “Këto ditë do të mendojmë për të dhe do të lutemi për të. Kjo ka qenë edhe dëshira e tij, siç tha edhe arqipeshkvi Gänswein.”

Varrimi i ish-Papa Benediktit është planifikuar për ditën e enjte. Sipas amanetit të ish-Papës ai do të jetë ceremonial, por i thjeshtë. Papa Françesku do të drejtojë meshën. Rreth 60.000 vetë priten në varrimin e ish-Papës, mes tyre edhe kardinalë dhe krerë shtetesh. Edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier ka bërë të ditur pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit në Romë.

(DW)