Prishtinë, 31 mars 2024 – Besimtarët katolikë në Kosovë i kremtuan të dielën Pashkët, festën kryesore të të krishterëve që e shënojnë ringjalljen Krishtit.
Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, bëri thirrje për pajtim në vend në mënyrë që siç tha të gjithë të bashkuar të mund të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Këto thirrje u bënë gjatë manifestimit qendror me Meshën e Ringjalljes me rastin e Pashkëve që u mbajt në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë.
“Dhe bashkarisht të mund të përballojmë të sotmen dhe të gjitha sfidat me të cilat përballemi ne, duke i mundësuar të ardhmes tonë të përbashkët një të ardhme të sigurtë ashtu që në harmoni të plotë të mund të ecim përpara sidomos me ata me të cilët na e kanë mundësuar lirinë që e kemi”, tha ai.
Ipeshkvi Dodë Gjergji, tha se mesazhi i Pashkëve ka në thelb thirrjet për paqe, dashuri, pajtim, jetë të drejtë, të ndershme dhe të mirë.
“Pra edhe pse jetojmë në një kohë të vështirë kur njerëzit janë më shumë duke u angazhuar për të luftuar ose për të mbështetur luftën ne mbesim pa dyshim dhe me bindje të plotë nuk do të pushojmë të lutemi Zotit tone, Jezu Krishtit princit të paqes, që të zbusë zemrat e ngurta dhe të çlirojë nga urrejtja çdo njeri sidomos ata që kanë përgjegjësi për të ruajtur paqen në botë dhe në vendin tone”, tha ai
Udhëheqës politikë e fetar kanë përgëzuar qytetarët e krishterë duke vënë theksin në thelbin e kësaj kremteje që qëndron në vepra të mira, solidaritet e bashkëpunim ndërmjet njerëzve.
Happy Easter to families celebrating in Kosovo and across the world!
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) March 31, 2024
Let's embrace this day of renewal & hope, remembering that together, we can overcome challenges & make the world a better place for all.
Wishing you joy, peace and a heart full of hope on this blessed day. pic.twitter.com/mZQz89rRBJ
(Zëri i Amerikës)