Prishtinë, 28 qershor 2023 – Besimtarët myslimanë në Kosovë, sikurse në gjithë botën, e festojnë sot Kurban Bajramin që në popull quhet Bajrami i Vogël. Imamët e xhamive anembanë vendit bënë thirrje për paqe, solidaritet dhe dashuri.
Ceremonia kryesore u mbajt në Xhaminë e Madhe, “Sulltan Mehmed Fatih”, në Prishtinë.
Në mesazhin e tij, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, foli edhe për sigurinë në Kosovë. Ai u bëri tjirrje Qeverisë së Kosovës dhe faktorëve ndërkombëtare që të angazhohen edhe më shumë përë shtensionimin e situatës, përmes dialogut.
“Gjendja e sigurisë në vendin tonë nuk është e qëndrueshme sa dhe si duhet. Tash e sa muaj në veri kemi tensionim të gjendjes. Qeveria dhe institucionet ndërkombëtare duhet të kontribuojnë edhe më shumë, në të gjitha mundësitë e tyre në shtensionim të situatës dhe uljen e tensioneve. Të gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut, larg nga përdorimi i dhunës”, tha ai.
“Kosova ka kufijtë e vet, ka sovranitetin e vet dhe Kushtetutën që duhet respektuar në çdo anë që të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve. Lutemi në këtë ditë feste, që në Kosovë të mbretërojë paqja, siguria, toleranca, siguria, respekti dhe qetësia”, u shpreh ai.
Myftiu Tërnava bëri thirrje edhe për harmoni në familje e shoqëri. Ai theksoi se “harmonia është thelbi i një shoqërie të shëndoshë”.
Myftiu i Kosovës bëri thirrje edhe për luftimin e fenomeneve shoqërore negative. Ndër të tjera, ai shprehu shqetësimin për fenomenin e largimit të të rinjëve nga Kosova dhe theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në krijimin e kushteve për jetë e punë për të rinjtë.
“Institucionet tona duhet të merren shumë shpejt me këtë problematikë, për ta parandaluar këtë dukuri”, theksoi ai.
(r.m.)