Qindra mijëra besimtarë ortodoksë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Ballkan, festuan këtë fundjavë Pashkët, një nga ditet më të rëndësishme të besimit të tyre. Ata u mblodhën qysh në mesnatë në kishat dhe katedralet për të uruar njëri tjetrin për ngjalljen e Krishtit, dhe për të marrë me vete dritën e besimit të tyre.
Në kishat e Bostonit, në New England, New York dhe kudo në SHBA po ashtu si edhe në në katedralen e re afër qendrës së Tiranës e në kisha të tjera shqiptare, u mbajtën meshat e rastit. Në Tiranë, ceremoninë më të madhe të festës e drejtoi kryetari i kishës ortodokse, Anastas Janullatos, me urime për besimtarët e shumtë që ishin mbledhur për ta dëgjuar. Besimtarët ortodoksë morën shumë urime për pashkët edhe nga shumë figura të njohura shtetërore e politike.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, uroi besimtarët, duke kujtuar se Shqipëria është një vend i vogël me disa besime, ku ortodokëst shqiptarë zënë një vend kryesor për sakrificat me pushkë e me penë, që bënë për çështjen kombëtare shqiptare gjatë shumë e shumë viteve brenda e jashtë vendit. Presidenti Nishani theksoi në mesazhin e tij se besimtarët ortodoksë kanë bërë shumë rrugë në zhvillimin e fesë së tyre, duke lënë pas shkatërrimin e përbindshëm të ndërtesave të kultit, martirizimin e priftërinjve, tmerrin e besimtarëve.
Në ditën e shenjtë të ringjalljes së Krishtit, besimtarët ortodoksë shqiptarë gjatë festës së Pashkëve morën shumë urime edhe nga qytetarë të besimeve të tjera, për ripërtëritjen e besimit tek Zoti. Për shqiptarët festat fetare janë të veçanta, sepse janë thjesht simbole të besimit tek Zoti, secili feston dhe uron, sepse festa e çdo besimi është festë për të gjithë shoqërinë. Këto festa forcojnë traditën e harmonisë dhe respektit ndërfetar në Shqipëri, ku të gjithë urojnë më shumë mbarësi e paqe. (VOA-Illyria)