Gjenevë, 16 qershor 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se agjenda e tij “nuk është kundër Rusisë apo dikujt tjetër, por është për Amerikën”.
Biden tha se ia ka dhënë këtë mesazh presidentit rus, Vladimir Putin, me të cilin u takua të mërkurën në Gjenevë.
“Aty ku kemi dallime, dua që presidenti Putin të kuptojë përse e them atë që them dhe përse e bëj atë që bëj”, tha Biden në konferencën për gazetarë pas takimit.
“I kam thënë Putinit se na duhen disa rregulla themelore, të cilat të gjithë mund t’i respektojmë”, tha Biden.
I pyetur nga gazetarët se çfarë ka bërë për të parandaluar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet në SHBA në të ardhmen, Biden tha: “Putin e di se do të ketë pasoja”.
Rusia “po përpiqet me dëshpërim të ruajë pozitën e saj” si fuqi botërore; humbja e këtij statusi do të ishte “çmimi që do të paguante” për ndërhyrjet e vazhdueshme, tha Biden.
“Ata nuk janë në gjendje të diktojnë atë që ndodh në botë”, theksoi ai.
Takimi Biden-Putin përfundoi pas më shumë se tri orësh.
Dy presidentët fillimisht u takuan në një seancë më të vogël, ndërsa më vonë u përfshinë edhe zyrtarë të të dyja palëve.
Në një konferencë të ndarë për media, Putin tha se nuk kishte armiqësi gjatë takimit dhe se bisedimet ishin “mjaft konstruktive”.
“Vlerësimi ynë për shumë çështje ndryshon, por, sipas mendimit tim, të dyja palët demonstruan dëshirën për të kuptuar njëra-tjetrën dhe për të kërkuar mënyra për t’u afruar me njëra-tjetrën”, tha Putin.
Ai tha se u pajtua me Bidenin që t’i kthejnë ambasadorët në postet e tyre, në përpjekje për të ulur tensionet.
Konfirmim për këtë nga Shtëpia e Bardhë nuk ka ende.
Ambasadori i Rusisë në SHBA, Anatoly Antonov, u tërhoq nga Uashingtoni rreth tre muaj më parë, pasi Biden e përshkroi Putinin si “vrasës”.
Ambasadori amerikan, John Sullivan, u largua nga Moska gati dy muaj më parë.
Putin gjithashtu tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësi për stabilitetin bërthamor dhe se do të zhvillojnë bisedime për ndryshime të mundshme të një traktati, që i kufuzon armët.
Ai i hodhi poshtë shqetësimet e Uashingtonit për arrestimin e politikanit rus të opozitës, Aleksei Navalny, për praninë e shtuar ushtarake të Rusisë pranë kufirit lindor të Ukrainës dhe për dyshimet se disa rusë të paidentifikuar janë përgjegjës për një seri sulmesh kibernetike në Shtetet e Bashkuara.
Putin tha se Navalny e ka injoruar ligjin dhe e ka ditur se çfarë do t’i ndodhë nëse kthehet në Rusi nga Gjermania.
Në Gjermani, Navalny është trajtuar si pasojë e helmimit me një agjent nervor brenda Rusisë.
Biden, duke folur për gazetarët, tha se pasojat për Rusinë “do të jenë shkatërruese” nëse Navalny vdes në burg.
Putin tha se ai dhe Biden diskutuan edhe për punën e Radios Evropa e Lirë.
Putin tha se REL është etiketuar si “agjente e huaj” në Rusi, në përgjigje të, siç tha, veprimeve të ngjashme amerikane kundër mediave ruse.
Dy presidentët më pas lëshuan një deklaratë të përbashkët për media, duke thënë se dy vendet kanë dëshmuar se janë në gjendje të bëjnë përparim në qëllimet e përbashkëta edhe “në periudha tensioni”.
Samiti u zhvillua në kohën kur marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.
Rundi i parë i bisedimeve zgjati 90 minuta dhe aty morën pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, plus përkthyesit.
Duke hyrë në takim, Biden tha se bisedimet do të zhvillohen midis “dy fuqive të mëdha” dhe shtoi se është “gjithmonë më mirë të takohemi ballë për ballë”.
Putin tha se shpreson se bisedimet do të jenë “produktive”.
Rundi i dytë i bisedimeve zgjati rreth 65 minuta. Nga delegacioni amerikan morën pjesë edhe këshilltari për siguri kombëtare, Jake Sullivan, nënsekretarja e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland, ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, dhe dy ekspertë për Rusinë nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë: Eric Green dhe Stergos Kaloudis.
Nga delegacioni rus, ndërkaq, morën pjesë: këshilltari i Putinit për çështje të jashtme, Yuri Ushakov, zëvendësi i Lavrovit, Sergei Ryabkov, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, gjenerali Valery Gerasimov, ambasadori rus në Uashington, Anatoly Antonov, të dërguarit e Kremlinit për Ukrainën dhe Rusinë, si dhe zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.
Samiti u zhvillua në kohën kur Putin vazhdon të konsolidojë dominimin e tij në sistemin politik rus, duke shtypur aktivistët e opozitës, si Aleksei Navalny, si dhe mediat dhe OJQ-të e pavarura.
Një zëdhënëse e Bidenit – presidentit të pestë amerikan që u takua me Putinin – tha se Shtëpia e Bardhë “nuk po përpiqet të rivendosë marrëdhënie me Rusinë, e as t’i përshkallëzojë ato”. Por, Biden po ndërmerr hapa më të ashpër ndaj Rusisë, sesa paraardhësi i tij, Donald Trump.
Që nga marrja e detyrës së presidentit në muajin janar, Biden ka goditur Rusinë me dy runde sanksionesh ekonomike. Megjithatë, ka rënë dakord që të zgjasë traktatin për kontrollin e armëve me Rusinë, të njohur si START-i i Ri.
(REL)