Nju Jork, 21 shtator 2022 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden deklaroi sot në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se Rusia ka “shkelur paturpësisht parimet thelbësore” të OKB-së, me “luftën e saj mizore dhe të paprovokuar” në Ukrainë. Ai tha se lufta është një veprim që shkel atë çka kjo organizatë përfaqëson, ndërsa u kërkoi aleatëve që të bashkohen për të qëndruar në solidaritet, në mbështetje të rezistencës ukrainase.
Ndërsa dënoi me forcë sulmin 7-mujor të Rusisë, zoti Biden tha se raportet e krimeve ruse kundër civilëve në Ukrainë duhet të tmerrojnë të gjitha vendet. Ai tha se kërcënimet e fundit për përdorim të armëve bërthamore kundër Evropës të Presidentit rus Vladimir Putin është një shkelje flagrante e përgjegjësive të Rusisë si nënshkruese e Traktatit që ndalon përdorimin dhe përhapjen e armëve bërthamore.
https://www.facebook.com/watch/?v=846415013185264
Ai kritikoi Kremlinin për organizimin e “referendumeve të rreme” këtë javë në territoret që ka kapur me forcë në Ukrainë.
“Një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së sulmoi fqinjin e tij, u përpoq të fshinte një shtet sovran nga harta. Rusia ka shkelur paturpësisht parimet thelbësore të kartës së OKB-së”, tha ai para të pranishmëve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Zoti Biden u bëri thirrje të gjitha vendeve, qofshin ato demokratike apo autokrate, që të dënojnë sulmin rus e të ndihmojnë përpjekjet e Ukrianës për të mbrojtur veten.
“Ne do të solidarizohemi kundër agresionit të Rusisë”, tha udhëheqësi amerikan.
Zoti Biden vuri gjithashtu theksin tek pasojat e sulmit në furnizimin me ushqim në botë. Ai premtoi 2.9 miliardë dollarë ndihma për sigurinë globale ushqimore, zbutjen e pasojave të shkaktuara nga lufta si dhe ndryshimet klimatike.
Presidenti amerikan vlerësoi përpjekjet e ndërmjetësuara nga OKB-ja për krijimin e një korridori të sigurt për eksportet e drithit ukrainas dhe bëri thirrje që marrëveshja të respektohet pavarësisht vazhdimit të konfliktit.
Gjatë ditës së mërkurë, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Biden pritet të takohet me kryeministren e re britanike Liz Truss dhe të ushtrojë trysni tek aleatët që të përmbushin objektivin prej 18 miliardë dollarësh në funksion të fondit global për luftën kundër sëmundjeve si Sida, tuberkuzoli e malaria.
Por kritikat kundër Rusisë dominonin axhendën e presidentit amerikan në OKB.
Fjalimi erdhi ndërsa rajonet e kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore njoftuan planet për mbajtjen e referendumeve të mbështetura nga Kremlini gjatë ditëve në vijim, me synimin për t’u bërë pjesë e Rusisë. Ky zhvillim duket si një reagim i Moskës pas humbjeve të pësuara në terren. Presidenti rus Putin njoftoi sot një mobilizim të pjesshëm dhe thirrjen e 300 mijë rezervistëve të ushtrisë duke akuzuar Perëndimin për “shantazh bërthamor”.
Shtëpia e Bardhë tha se financimi për sigurinë globale ushqimore përfshin 2 miliardë dollarë ndihma direkte humanitare përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar. Pjesa tjetër do të përdoren për të financuar projekte që synojnë rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së furnizimit të botës me produkte ushqimore.
“Ndihma prej 2.9 miliardë dollarësh do të shpëtojë jetë përmes ndërhyrjeve urgjente dhe do të investojë në ndihma afatmesme dhe afatgjata për sigurinë ushqimore, në mënyrë që të mbrohen popullsitë më të ndjeshme të botës nga kriza e përshkallëzuar e sigurisë globale ushqimore”, tha Shtëpia e Bardhë.
Përveç luftës në Ukranë, në Evropë është rritur frika për mundësinë e një recesioni. Po kështu ka shqetësime lidhur me ngecjen e negociatave për një marrëveshje me Iranin apo mbi mundësitë e një sulmi të Kinës kundër Tajvanit.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të vitit të kaluar, presidenti Biden ishte përqëndruar në tema të gjera të partneritet global, duke u kërkuar udhëheqësve botërorë të veprojnë me nxitim kundër koronavirusit, ndryshimeve klimatike dhe shkeljes së të drejtave të njeriut.
Ai ofroi garanci se presidenca e tij do të shënonte kthimin e rolit udhëheqës amerikan në institucionet ndërkombëtare, ndryshe nga axhenda “Amerika e Para” e ish presidentit Donald Trump.
Por një vit më vonë, dinamikat globale kanë ndryshuar shumë.
Stewart Patrick nga Fondacioni për Paqen Ndërkombëtare “Carnegie” thotë se përgjegjësitë e zotit Biden për këtë vit janë shtuar, krahasuar me një vit më parë.
“Vitin e kaluar, udhëheqësi amerikan i fitoi me lehtësi vlerësimet nga (aleatët perëndimorë), duke thënë se “Amerika është si më parë”, ndryshe nga politika e paraardhësit të tij”, tha zoti Patrick.
“Ky vit kërkon më shumë. Sistemi ndërkombëtar liberal, i bazuar në rregulla po lëkundet, i goditur nga agresioni rus, ambiciet kineze, sulmet autoritare, nga një frenim i rimëkëmbjes nga pandemia, përshpejtim i ndryshimeve klimatike, skepticizmi mbi rëndësinë e OKB-së dhe dyshimet e vazhdueshme mbi qëndrueshmërinë e fuqisë amerikane”, shtoi ai.
Përtej diplomacisë, presidenti, në një farë mënyrë po bën edhe politikë. Takimi i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë vit vjen ndërsa kanë mbetur rreth shtatë javë nga zgjedhjet e nëntorit për në Kongres.
Menjëherë pas mbërritjes në Manhattan, të martën në mbrëmje, Presidenti Biden foli në një aktivitet për grumbullim fondesh organizuar nga Komiteti Kombëtar Demokrat përpara 100 pjesëmarrësve. Në aktivitet u mblodhën rreth 2 milionë dollarë. Përpara kthimit në Uashington presidenti pritet të zhvillojë të enjten edhe një tjetër aktivitet për grumbullim fondesh.
Fjalimi në OKB të mërkurën vjen ndërsa forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e një pjesë të madhe të territorit pranë Kharkivit. Por pavarësisht kësaj, pjesa më e madhe e Evropës po përballet me pasoja të dhimbshme nga sanksionet ekonomike të vendosura kundër Rusisë. Një pakësim i madh i sasisë së naftës dhe gazit rus ka çuar në një rritje të lartë të çmimeve të energjisë, rritje të inflacionit, si dhe rrezikut për një recesion në Evropë.
Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së vjen ndërsa përpjekjet e administratës Biden për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit, të vitit 2015, duken se kanë ngecur.
Marrëveshja e ndërmjetësuar nga administrata Obama dhe e anuluar nga ish-presidenti Trump në vitin 2018, siguroi lehtësim nga sanksionet për Teheranin në vlerën e miliarda dollarëve. Nga ana tjetër Irani ra dakord të çmontojë pjesën më të madhe të programit të tij bërthamor dhe t’i vendosë objektet e tij bërthamore në dispozicion për inspektim të gjerë ndërkombëtar.
Zoti Sullivan tha se nuk pritet përparim me Iranin gjatë Asamblesë së Përgjithshme, por zoti Biden e bëri të qartë në fjalimin e tij, se një marrëveshje ishte e mundur të arrihej “nëse Irani është i përgatitur të ishte serioz në lidhje me detyrimet e tij”. Ai shtoi se zyrtarët e administratës do të shfrytëzojnë takimin e OKB-së për t’u këshilluar me vendet e tjera nënshkruese të marrëveshjes së vitit 2015.
Mbledhja e OKB-së e këtij viti shënoi një kthim të pjesmarrjes fizike në shkallë të gjerë të udhëheqësve botërorë pas dy vitesh aktivitet të kufizuar për shkak të pandemisë. Në vitin 2020, pjesmarrja fizikisht u anulua, dhe aktiviteti ishte një përzierje mes fjalimesh që u mbajtën në sallë dhe atyre të regjistruara më parë. Presidenti Biden dhe zonja e parë Jill Biden do të organizojnë sot në mbrëmje një pritje për udhëheqësit pjesmarrës në këtë aktivitet.
Presidenti kinez Xi Jinping vendosi të mos marrë pjesë në mbledhjen e OKB-së së këtij viti, por sjellja dhe synimet e vendit të tij, do të zënë një vend të madh në bisedimet mes udhëheqësve.
Muajin e kaluar, zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ngriti shqetësime “rreth dyshimeve për krime kundër njerëzimit” në rajonin perëndimor të Kinës mes komunitetit të ujgurëve dhe grupeve të tjera etnike kryesisht myslimane.
Pekini ka bërë të ditur se do të pezullojë bashkëpunimin me këtë zyrë dhe i ka hedhur poshtë deklarat e saj, duke i cilësuar si një komplot perëndimor për të minuar forcimin e mëtejshëm të Kinës.
Të hënën qeveria kineze tha se deklarata e presidentit Biden gjatë një interviste për rrjetin televiziv ‘CBS’ se forcat amerikane do ta mbronin Tajvanin, nëse Pekini do të përpiqej të pushtonte ishullin e vetëqeverisur, ishte një shkelje e angazhimeve të SHBA-ve mbi këtë çështje, por nuk dha hollësi për veprime hakmarrëse të mundshme.
Shtëpia e Bardhë tha pas intervistës se nuk ka pasur asnjë ndryshim në politikën e SHBA-ve për Tajvanin, një territor që pretendohet nga Kina. Kjo politikë nënkupton se Uashingtoni synon një zgjidhje paqësore për statusin e Tajvanit, por pa sqaruar nëse do të dërgoheshin trupa amerikane, si përgjigje ndaj një sulmi kinez.
(Zëri i Amerikës)