Romë, 29 tetor 2021 – Presidenti amerikan, Joe Biden ka arritur të premten në Evropë, për të zhvilluar një agjendë të ngjeshur, përfshirë pjesëmarrjen në samitin e 20 vendeve më të industrializuara në botë (G20), që këtë vit mbahet në Romë.
Ai do të bisedojë me aleatët për programin bërthamor të Iranit dhe do të zhvillojë një sesion të planifikuar me Papa Françeskun në Vatikan.
Biden do të marrë pjesë edhe në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimën, në Glasgou të Skocisë, teksa bota tenton të përballet me efektet e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale.
Takimi i parë në agjendë është me Papa Françeskun në Vatikan, më 29 tetor.
Biden është katoliku i dytë që është bërë president amerikan, pas John F. Kennedy në periudhën 1961-63.
Në samitin e G20-ës, Biden pritet të diskutojë ndaras edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se takimi do të tentojë të ulë tensionet pas arritjes së marrëveshjes për siguri në mes të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Australisë, që ka ndikuar në humbjen e një pakti që ka pasur Franca për nëndetëse ujore.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se tema kyçe e një takimi që përfshin Bidenin, Macronin, liderët gjermanë dhe Britaninë, do të jetë statusi i programit bërthamor të Iranit.
Sullivan u ka thënë gazetarëve se Biden do të punojë “për një strategji të përbashkët” për Iranin.
Ai nuk ka treguar nëse liderët do të diskutojnë për rikthim të bisedimeve me Teheranin.
Irani pritet të rinisë bisedimet me fuqitë botërore në nëntor për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, prej së cilës, ish-presidenti amerikan, Donald Trump e pati larguar SHBA-në.
Biden po ashtu pritet të takohet edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë Sullivan.
Erdogan ka thënë se dëshiron të negociojë një marrëveshje me Uashingtonin për aeroplanët luftarakë F-16, pasi marrëveshja për aeroplanët luftarakë F-35 ka dështuar, për shkak të blerjes së sistemeve raketore ruse nga ana e Ankarasë.
Më 1 nëntor, Biden do të udhëtojë në Glasgou të Skocisë, për të marrë pjesë në konferencën për klimën, ku lideri amerikan pritet të ketë një fjalim të madh.
Para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë drejt Romës, Biden ka prezantuar një plan të rishikuar për shpenzime.
Në një takim me dyer të mbyllura, Biden është thënë t’iu ketë kërkuar demokratëve që të mbështesin planin në Kongres në vlerë të 2.7 trilionë dollarëve, duke thënë se dëshiron ta vërtetojë gjatë dy samiteve në Evropë, se demokracia amerikane funksionon ende.
“E gjithë botë është duke hamendësuar nëse ne ende mund të funksionojmë”, është cituar të ketë thënë ai sipas mediave amerikane.
Demokratët duhet të përkrahin pothuajse në mënyrë unanime planin për të kaluar në Kongres.
Aty përfshihen investime në infrastrukturë, klimë dhe kujdes për fëmijët.
Në kuadër të planit përmendet edhe luftimi i emetimeve të gazrave serrë deri më 2030, ulje tatimore për makinat elektrike dhe instalimin e paneleve solare në shtëpitë amerikane.
Propozimi i ri besohet se është version i planit për shpenzime në vlerë të 3.5 trilionë dollarëve, i cili është përkrahur nga progresistët.
Biden është thënë se ka shfrytëzuar takimin e së enjtes me demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve për t’i bindur progresistët e partisë së tij se versioni i ri i planit për shpenzimet është i ngjashëm me projektligjin original.
Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara rrezikojnë “të humbin avantazhin si komb”.
“Diku gjatë rrugës ne i kemi ndalur investimet për veten dhe njerëzit tanë”, ka thënë ai.
“Ne nuk mund të jemi konkurrues në ekonominë globale të shekullit XXI, nëse vazhdojmë me këtë ritëm”.
Në plan po ashtu përfshihen edhe 100 miliardë dollarë për reforma të paspecifikuara në sistemin e imigrimit, kanë thënë mediat amerikane.
Presidenti amerikan ka thënë se plani për shpenzime do të paguhet në tërësi nga rritja e taksave në korporata dhe multimilionerë.
(REL)