Republikanët në Senat këmbëngulin se çdo shtet duhet të ruajë të drejtën t’i përcaktojë vetë rregullat e votimit
Presidenti Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris vizituan të martën shtetin jugor të Xhorxhias për të promovuar projektpropozimin për të drejtën e votës, që do të zgjeronte thellësisht fushëveprimin e qeverisë federale mbi zgjedhjet, por që ka ngecur në Senat.
Presidenti Biden mbrojti të drejtën për të votuar në zgjedhje të lira, të drejta dhe të sigurta, të panjollosura nga manipulimet partiake, ndërsa u shpreh se mënyra për t’i garantuar këto të drejta është miratimi i dy projektpropozimeve të paraqitura nga demokratët.
Zoti Biden tha se, “Ditët në vijim, kur këto projektligje të hidhen për votim, do të shënojnë një pikë kthese në këtë vend”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
“A do të zgjedhim demokracinë mbi autokracinë, dritën mbi hijen, drejtësinë mbi padrejtësinë? Unë e di qendrimin tim. Unë nuk do të zmbrapsem. Do të mbroj të drejtën tuaj për të votuar dhe demokracinë tonë kundër të gjithë armiqve, të huaj apo të brendshëm. Lind pyetja se çfarë qëndrimi do të mbajë Senati i Shteteve të Bashkuara?”
Përmes një shkrimi në rrjetin Twitter Presidenti Biden tha më pas se, “Historia nuk është treguar kurrë e mirë ndaj atyre që kanë mbështetur shtypjen e votuesve përballë të drejtës së votës. Dhe nuk do të tregohet e mirë ndaj atyre që dështojnë të mbrojnë të drejtën e votës”.
Por republikanët në Kongres i kanë kundërshtuar tërësisht masat, duke thënë se secili nga 50 shtetet amerikane duhet të vazhdojë të vendosë rregullat e veta, duke përfshirë orarin e votimit, afatin kohor të votimit të parakohshëm para votimit tradicional të nëntorit dhe se në çfarë mase lejohet votimi me postë.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, demokrati Biden mundi ish-Presidentin Donald Trump pas një mandati të vetëm në Shtëpinë e Bardhë.
Zoti Biden fitoi disa shtete ku u zgjat me disa ditë harku kohor i votimit dhe oraret, u zgjerua votimi me postë për kufizuar nevojën e votuesve që ditën e zgjedhjeve të shkonin nëpër qendrat e votimit të mbushura me njerëz gjatë pandemisë.
Demokratët, përmes legjislacionit të mbështetur nga Presidenti Biden, duan që shumë nga ato ndryshime të bëhen të përhershme, përfshirë zgjedhjet e nëntorit të këtij viti, ku votohet për 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe rreth një të tretën e Senatit.
Legjislatura të shumta në shtetet e kontrolluara nga republikanët kufizuan vitin e kaluar shumë nga ndryshimet e miratura për zgjedhjet e vitit 2020 nga frika se demokratët do të fitonin një avantazh të përhershëm elektoral nëse rregullat liheshin në fuqi.
Kryetari i shumicës demokrate ne Senat, Chuck Schummer, ka caktuar 17 janarin, ditën kur Shtetet e Bashkuara nderojnë Martin Luther Kingun, si afat për të miratuar ligjin për votimin, ose përndryshe do të kërkojë rishqyrtimin e rregullave të votimit në Senat.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Biden do të mbështesë ndryshimin e rregullores së Senatit, që i mundëson palës kundërshtare të bllokojë çdo ligj, që nuk ka 60 vota, në mënyrë që ligji për të drejtën e votës të miratohet.
Deri tani demokratët nuk kanë qënë të gjithë të bashkuar për ndryshimin e rregullores së Senatit.
Aktivistët që mbrojnë të drejtën e votës, kanë shprehur shqetësime për një sërë ligjesh të miratuara nga republikanët në shtetet që kontrollohen prej tyre, të cilat, sipas aktivistëve, e bëjnë më të vështirë procesin e votimit.
Pas humbjes së ish Presidentit Trump në zgjedhje dhe pas përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatet, në mungesë të provave për manipulime, ligjet janë ndryshuar në 19 shtete.
Xhorxhia, një nga shtetet përcaktuese të zgjedhjeve presidenciale të 2020, ishte në qendër të përpjekjeve për ndryshimin e rezultatit, ndërsa në mes të numërmit të votave, Presidenti Trump i kërkoi një zyrtari elektoral të shtetit, të “gjente” vota të mjaftueshme për të përmbysur humbjen e tij.
Vitin e kaluar republikanët i ndryshuan ligjet elektorale të Xhorxhias, mes të tjerave, duke i dhënë të drejtë Komisionit Elektoral të Shtetit të ndërhyjë në zonat elektorale për të zëvendësuar zyrtarët zgjedhorë. Kjo ka shtuar shqetësimet se Komisioni i kontrolluar nga republikanët mund të ndikojë mbi zyrtarët zgjedhorë dhe mbi procesin e çertifikimit të rezultatit.
Projekt-ligji i përgatitur nga demokratët do të krijonte standarte mbarë-kombëtare votimi, duke shfuqizuar kështu ligjet e shteteve të veçanta.
Por për të miruatuar ligjin, të cilin republikanët e kundërshtojnë, ata duhet të ndryshojnë rregullat e votimit në Senat, të ashtuquajturin “filibuster”, ku 41 senatorë mund të bllokojnë çdo ligj. Republikanët kanë 50 vende në Senatin me 100 anëtarë. (VOA)