Uashington, 24 qershor 2023 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden foli me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë të shtunën, ndërsa kolona e mercenarëve rusë po udhëton me shpejtësi drejt Moskës pasi mori kontrollin e një qyteti jugor gjatë natës, tha Shtëpia e Bardhë.
“Udhëheqësit diskutuan situatën në Rusi. Ata pohuan gjithashtu mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën”, thuhej në deklaratë.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Biden u informua për situatën në Rusi nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare të shtunën në mëngjes dhe se presidenti do të vazhdojë të informohet gjatë gjithë ditës.
Një zëdhënës i Kancelarit gjerman Olaf Scholz tha se gjatë bisedës, katër udhëheqësit kishin riafirmuar angazhimin e tyre për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Të njëjtin angazhim për Ukrainën përcolli edhe zyra e Kryeministrit britanik Rishi Sunak, duke shtuar se udhëheqësit “kanë rënë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë në ditët në vijim”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bisedoi gjithashtu me homologët e vendeve të G7.
(Zëri i Amerikës)