Uashington, 3 janar 2022 – Në një bisedë telefonike të zhvilluar të dielën Presidenti Joe Biden i tha Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të “përgjigjen me vendosmëri” nëse Rusia sulmon Ukrainën.
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhej se dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu rreth përpjekjeve diplomatike për të zbutur tensionet pas një rritjeje në përmasa të mëdha të pranisë ushtarake ruse përgjatë kufirit lindor të Ukrainës.
Dy presidentët diskutuan gjithashtu edhe rreth masave për “uljen e tensioneve në Donbas si dhe zhvillimin e një diplomacie aktive për të bërë përpara me zbatimin e marrëveshjes së Minskut”.
Presidenti Biden “ripohoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se zoti Biden theksoi angazhimin e Uashingtonit ndaj parimit “asgjë për ty, pa ty”. (një formulë e përdorur për të komunikuar idenë se asnjë vendim nuk duhet të merret pa pjesëmarrjen e plotë dhe të drejtpërdrejtë të vendit që preket nga ky vendim).
Në një postim në Twitter zoti Zelenskiy shkruante se të dy udhëheqësit diskutuan rreth “veprimeve të përbashkëta në bashkëpunim me partnerët për ruajtjen e paqes në Evropë, parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, kryerjen e reformave, dhe çrrënjosjen e oligarkëve”.
“Ne e vlerësojmë mbështetjen e palëkundur ndaj Ukrainës”, tha zoti Zelenskiy.
Gjatë bisedës që zhvilloi me Presidentin rus Vladimir Putin, Presidenti Biden shënoi pak përparim për ta detyruar atë të tërheqë rreth 100,000 trupa të vendosura përgjatë kufirit të Rusisë me ish-republikën sovjetike. Megjithatë zyrtarët amerikanë thonë se nuk besojnë se Moska ka vendosur të sulmojë Kievin.
Udhëheqësit e SHBA-së dhe Rusisë zhvilluan një telefonatë 50-minutëshe të enjten e kaluar, gjatë së cilës zoti Biden paralajmëroi sërish zotin Putin se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë do të vendosnin sanksione të forta ekonomike ndaj Moskës, nëse do të sulmonte Ukrainën. Zoti Biden tha muajin e kaluar se nuk po shqyrtonte një përgjigje ushtarake ndaj tensioneve në rritje.
Moska aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, megjithë kritikat e Perëndimit, që vendosi sanksione më pak të ashpra nga ato që është zotuar të ndërmarrë aktualisht, në rast të një sulmi të ri.
(Zëri i Amerikës)