Uashington, 1 shtator 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha në një fjalim televiziv se vendimi i tij për Afganistanin ishte “largimi” ose “përshkallëzimi” i situatës.
Forcat amerikane përfunduan tërheqjen nga Afganistani më 30 gusht, pas 20 vjetësh prani në këtë vend.
Paraprakisht, më 15 gusht, Afganistani ra nën kontrollin e militantëve talibanë.
Biden tha se tërheqja ka qenë “vendimi më i mirë për Amerikën”.
Ai tha se e merr përgjegjësinë për këtë vendim dhe se beson se qëndrmi më gjatë në Afganistan “nuk ka qenë opsion”.
Biden tha se ushtria amerikane ka evakuuar mbi 120,000 të huaj dhe afganë që kanë dashur të ikin nga Afganstani, pas marrjes së kontrollit nga talibanët.
“Ne kemi kryer një nga transportimet më të mëdha ajrore në histori. Asnjë vend nuk ka bërë ndonjëherë diçka të tillë; vetëm Shtetet e Bashkuara kishin kapacitetin, vullnetin dhe aftësinë për ta bërë këtë”, tha Biden.
Ai po ashtu dha një mesazh për militantët e grupit Shteti Islamik Khorasan, të cilët morën përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse në aeroportin e Kabulit, më 27 gusht.
Së paku 180 njerëz humbën jetën në këto sulme, përfshirë 13 ushtarë amerikanë.
“Ne nuk kemi mbaruar me ju”, tha Biden.
Ai tha se prioritet i tij është të sigurojë se Afganistani nuk do të shfrytëzohet kurrë si vend nga ku do të kryheshin sulme kundër Shteteve të Bashkuara.
(REL)