Uashington, 19 tetor 2023 – Presidenti amerikan, Joe Biden do ta mbajë një fjalim para kombit, pas mesnate, dhe fokusi pritet të jetë në Ukrainë dhe përkeqësim të situatës së sigurisë në botë.
Ai pritet ta përmendë edhe luftën mes Izraelit dhe Hamasit, teksa përgatitet t’ia kërkojë Kongresit amerikan 100 miliardë dollarë si fonde, pjesa më e madhe e të cilave pritet të ndahet për Kievin.
Biden do t’i drejtohet kombit prej Dhomës Ovale në Shtëpinë e Bardhë, hapësirë që ish-presidentët amerikanë e kanë shfrytëzuar për të mbajtur fjalime në periudha kritike për kombin.
“Presidenti Biden do t’i adresohet kombit për ta diskutuar përgjigjen tonë ndaj sulmeve terroriste të Hamasit kundër Izraelit dhe për luftën brutale të Rusisë kundër Ukrainës”, ka thënë Sekretarja për Media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean- Pierre.
Biden ka thënë gjatë një vizite në Tel Aviv, më 18 tetor, se do t’i kërkojë Kongresit paketë ndihme, dhe 60 miliardë dollarë mund të ndahen për Ukrainën, 10 miliardë për Izraelin, si dhe fonde për Tajvanin në kufirin jugor amerikan.
Fjalimi do të mbahet pasi Rusia e ka nisur një tjetër valë sulmesh me dronë dhe raketa kundër pesë rajoneve ukrainase, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile dhe atë të energjisë, kanë thënë zyrtarë ushtarakë ukrainas.
(REL)