Biden e Meloni: Të përkushtuar për stabilitet dhe shtensionim në Ballkanin Perëndimor

Uashington, 28 korrik 2023 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, diskutuan, ndër tjerash, për situatën në Ballkanin Perëndimor gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë më 27 korrik.

Sipas deklaratës së përbashkët të liderëve të SHBA-së dhe Italisë, të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, ndër pikat e diskutimit në takimin e tyre ishte sigurimi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, rajon ku bëjnë pjesë Kosova, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje dhe Hercegovina.

“Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të kahmotshme për integrimin euroatlantik të rajonit”, thuhet në deklaratën e publikuar.

Në këtë deklaratë gjithashtu thuhet se dy vendet do “të përforcojnë koordinimin për të favorizuar de-përshkallëzimin”, mirëpo nuk specifikohet se për çfarë përshkallëzimi bëhet fjalë.

Në deklaratën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se SHBA-ja e “mirëpret angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR-it”.

(REL)