Biden e Putin u pajtuan të vazhdojnë bisedimet për uljen e tensioneve rreth Ukrainës

Uashington / Moskë, 30 dhjetor 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, zhvilloi të enjten një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, me shpresën se do të arrihet të ulen tensionet e kërcënimet e pandërprera në kufirin e Rusisë me Ukrainën.

Biden e zhvilloi bisedën me Putinin nga shtëpia e tij, në Wilmington, Delaware.

CNN raporton se biseda ka zgjatur 50 minuta.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, në një deklaratë për medie, tha se Biden i ka kërkuar Putinit të ulët tensionet me Ukrainën. Ajo tha se Biden ka paralajmëruar se SHBA dhe aleatët e saj “do të përgjigjen me vendosmëri” nëse Rusia e pushton Ukrainën.

“Presidenti Biden shprehu gjithashtu mbështetjen për diplomacinë, duke filluar me dialogun dypalësh për Stabilitetin Strategjik nw fillim të vitit që vjen, me takimin e Këshillit NATO-Rusi dhe me bisedimet me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë”, tha Psaki.

“Presidenti Biden përsëriti se përparimi thelbësor në këto bisedime mund të ndodhë vetëm në një atmosferë të deeskaslimit dhe jo të eskalimit”, tha Psaki.

Kremlini tha se Putini është i kënaqur me rezultatin e bisedës Bidenin.

“Biseda e sotme ishte e mirë, konstruktive, e sinqertë dhe më duket se ofron një bazë jo të keqe, në fakt të mirë, për fillimin e negociatave”, tha Yuri Ushakov, zëdhënës i Kremlinit përpolitikë të jashtme.

“Bisedimet dypalëshe SHBA-Rusi do të fillojnë në Gjenevë më 9 janar.Ato do të pasohen nga një takim i Këshillit Rusi-NATO në Bruksel, dy ditë më vonë, dhe nga bisedomet që do të zhvillohen në kuadër të OSBE-së në Vjenë, më 13 janar”, tha Ushakov.

“Të dy udhëheqësit ranë dakord të mbajnë kontakte të rregullta gjatë bisedimeve dhe të mbikëqyrin drejtpërdrejt bisedimet dypalëshe”, tha ai.

Biden dhe Putin kishin folur për herë të fundit më 7 dhjetor, në një video-konferencë që kishte përfunduar me premtimin e Rusisë se do të rifillongte bisedimet për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve, por Moska nuk dha asnjë indikacion se po heq dorë nga kërcënimet ndaj Ukrainës.

Prej  atëherë, Moska grumbulloi afër 100,000 trupa ushtarake në kufi me Ukrainën, pavarësisht nga paralajmërimet e Bidenit dhe liderëve evropianë se Rusia do të ketë  pasoja të rënda nëse e e  fut ushtrinë në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë thonë se Moska është e përfshirë gjithashtu në një fushatë të ashpër dezinformuese që synon të minojë Qeverinë e Ukrainës para zgjedhjeve nacionale në këtë vend.

Biden shpresonte se telefonata e së enjtes do të çonte në uljen e tensioneve. Zyrtarët amerikanë thanë se ai do t’i thoshte Putinit se ka një zgjidhje për të shmangur konfliktin dhe, rrjedhimisht, edhe sanksionet ekonomike që Perëndimi është gati t’ia vendosë nëse trupat ruse e kalojnë kufirin me Ukrainën.

Pas afërsisht dy javësh, diplomatët amerikanë dhe rusë do të ulen në tryezën e bizsedimeve, në Gjenevë, për të kërkuar zgjidhje për krizën lidhur me Ukrainën.

Rusia ka listuar shqetësimet e saj lidhur me sigurinë në rajon. Ajo ka kërkuar garancë se Ukraina nuk do të lejohet të anëtarësohet në NATO dhe që pajisjet ushtarake të NATO-s të mos vendosen në shtetet fqinje të Rusisë.

Më herët, Biden ka thënë se anëtarësimi në NATO është çështje e vullnetit të Ukrainës.

(r.m.)