Biden e siguron Izraelin se Irani nuk do të ketë armë bërthamore

Uashington, 20 qershor 2021 – Presidenti amerikan, Joe Biden, siguroi Izraelin se Irani nuk do të arrijë kurrë të posedojë armë bërthamore.

Biden bisedoi më 28 qershor më presidentin izraelit në largim, Reuven Rivlin, në Shtëpinë e Bardhë.

“Ajo që mund të ju them juve është që nën vëmendjen time Irani asnjëherë nuk do të arrijë të ketë armë bërthamore”, tha Biden.

Presidenti Rivlin do të lërë postin pas shtatë vjetësh në detyrë.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua pasi Naftali Bennett në fillim të këtij muaji u bë kryeministri i ri i Izraelit, duke zëvendësuar Benjamin Netanyahun.

Biden tha se shpreson që do ta takohë kryeministrin e ri “shumë shpejt”.

Presidenti Rivlin u tha gazetarëve se ai ishte “shumë i kënaqur” sa i takon komenteve të presidentit Biden për Iranin.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar bisedime indirekte në Vjenë të Austrisë në përpjekje për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore, e cila kishte kufizuar aktivitetet bërthamore të Teheranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja më 2018. Vendimi ishte mbështetur nga Netanyahu.

Teherani reagoi ndaj rivendosjes së sanksioneve amerikane duke zvogëluar gradualisht angazhimet e tij bërthamore sipas marrëveshjes.

Takimi me Rivlin vjen një ditë pasi Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, mbajti takimin e tij të parë me ministrin e ri të Jashtëm të Izraelit Yair Lapid në Romë.

Lapid, një politikan i qendrës së bashku me Bennett dhe gjashtë aleatë të tjerë politikë ndërtuan një qeveri të brishtë koalicioni qeverisës.

Ai tha se Izraeli kishte disa “rezerva serioze” në lidhje me marrëveshjen e Iranit që po diskutohet në Vjenë.

(REL)