Uashington, 15 maj 2024 – Presidenti Joe Biden njoftoi se ka pranuar një ftesë nga televizioni CNN për të marrë pjesë në një debat me rivalin e tij republikan Donald Trump më 27 qershor.
Më parë sot gjatë ditës, ekipi elektoral i presidentit Biden kishte njoftuar disa kushte për pjesëmarrjen në debat presidencial. Mes tyre, ishte formati i debatit. Presidenti Biden refuzoi formatin tradicional të komisionit jo-partiak që organizon debate presidenciale prej 3 dekadash.
Presidenti kërkoi që debatet të zhvillohen më herët se zakonisht dhe jo në një sallë me pjesëmarrës, por në një studio televizive.
Historikisht janë zhvilluar 3 debate, një në shtator dhe 2 në tetor.
Marrëveshja tanishme mes dy rivalëve parashikon dy debate televizive, njeri në qershor dhe tjetri në shtator.
Ekipi i ish Presidentit Trump, i ka pranuar debatet, por ende nuk është shprehur për datën 27 qershor dhe ofertën e televizionit CNN për të debatuar me kandidatin demokrat.
Të dyja palët kanë ende dallime të mëdha në çështjet kryesore se si të organizohen debatet, duke përfshirë marrëveshjen në çfarë media të mbahen ato, kush do të jenë moderatorët, vendndodhjen dhe rregullat.
Në kushtet e vendosura nga Presidenti Biden po ashtu përjashtohen kandidatët e palëve të treta, si Robert F. Kennedy Jr.
(Zëri i Amerikës)