Uashington, 6 mars 2024 – Presidenti amerikan Joe Biden dhe ish presidenti Donald Trump janë më afër një ripërballjeje në zgjedhjet presidenciale, pasi secili fitoi pothuajse të gjitha garat e emërimit nga partitë e tyre në zgjedhjet paraprake, në një grup shtetesh gjithandej vendit.
Presidenti Biden doli fitues në 15 nga shtetet që mbajtën zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike, duke përfshirë Virxhinian, Teksasin, Minesotan dhe Koloradon. Ai humbi garën në territorin amerikan, Samoa.
Ish presidenti Trump doli fitues në 14 shtete.
Me pak kundërshtime në garën e demokratëve, një situatë tipike për presidentët në detyrë, zoti Biden paralajmëroi se një mandat tjetër për zotin Trump do të nënkuptonte “kaos, ndarje dhe errësirë”.
“Sot, miliona votues anembanë vendit ngritën zërin e tyre, duke treguar se janë të gatshëm të luftojnë kundër planit të skajshëm të Donald Trumpit për të na kthyer prapa”, tha presidenti Biden në një deklaratë.
Ish presidenti Trump, duke folur me mbështetësit e tij në Florida, tha se vendi ka pësuar “një goditje të madhe” gjatë tri viteve të fundit, ndërsa fajësoi mënyrën e trajtimit të ekonomisë dhe emigracionit nga presidenti Biden.
Ish udhëheqësi amerikan, i cili humbi në zgjedhjet e vitit 2020 përballë zotit Biden, festoi raundin e tij të fitoreve të martën dhe i cilësoi zgjedhjet e nëntorit si “ditën e vetme më të rëndësishme në historinë e vendit tonë”.
Fitoret e zotit Trump të martën përfshijnë Kaliforninë, Koloradon, Mainen, Minesotan, Karolinën e Veriut dhe Teksasin.
Ish ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, kundërshtarja e fundit e zotit Trump në garën republikane, fitoi të martën në shtetin e Vermontit.
Kjo ishte fitorja e dytë e zonjës Haley pas asaj në zgjedhjet paraprake të së dielës në Uashington.
Pas një sërë humbjesh në janar dhe në shkurt, zonja Haley ishte zotuar të qëndronte në garë të paktën deri në Super të Martën, duke u thënë mbështetësve të saj se një tjetër mandat presidencial i zotit Trump do të ishte i dëmshëm për kombin.
Më shumë shtete do të zhvillojnë zgjedhjet paraprake në javët e ardhshme, ndërsa presidenti Biden dhe ish presidenti Trump kërkojnë të mbledhin delegatë të mjaftueshëm për të siguruar emërimet partiake përpara konventave, ku secila parti do të caktojë zyrtarisht kandidatin e saj për zgjedhjet e nëntorit.
Partia Republikane mban konventën e saj në korrik, ndërsa partia Demokratike në muajin gusht.
(Zëri i Amerikës)