Uashington / Londër,7 shtator 2022 – Presidenti Joe Biden foli me telefon të martën me kryeministren e re britanike Liz Truss, duke e uruar atë për zgjedhjen në këtë post. Dy udhëheqësit premtuan të forcojnë marrëdhëniet e tyre dhe të jenë të bashkuar kundër Rusisë.
“Mezi pres të thellojmë marrëdhëniet e veçanta midis vendeve tona dhe të punojmë ngushtë për trajtimin e sfidave globale, duke përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën ndërsa ajo mbrohet nga agresioni rus”, tha Presidenti Biden në një postim në Twitter.
Të dy udhëheqësit mund të takohen gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më vonë në shtator. Zonja Truss fitoi zgjedhjet brenda Partisë Konservatore në pushtet të hënën dhe mori postin e kryeministres së vendit nga zoti Boris Johnson të martën, ndërsa Britania përballet me disa nga sfidat më të mëdha në dekada.
Zyra e kryeministres tha në një deklaratë se Biden dhe Truss diskutuan për thellimin e bashkëpunimit në NATO dhe marrëveshjen e sigurisë SHBA-Australi-Britani të nënshkruar vitin e kaluar si një kundërpeshë ndaj Kinës. Truss pret të “punojë ngushtë me Presidentin Biden si udhëheqës të demokracive të lira për të trajtuar sfidat e përbashkëta, veçanërisht problemet ekstreme ekonomike të shkaktuara nga lufta e Putinit”, thuhet në deklaratë.
Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë tha se të dy udhëheqësit diskutuan vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në lidhje me konfliktin në Ukrainë, trajtimin e sfidave të paraqitura nga Kina, parandalimin e Iranit nga prodhimi i një arme bërthamore dhe “sigurimin e burimeve të qëndrueshme dhe të përballueshme të energjisë”.
Uashingtoni dhe Londra kanë qenë në një linjë në përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe në ato për të kundërshtuar ndikimin e Kinës në Paqësor. Por, një marrëveshje tregtare që disa zyrtarë britanikë shpresonin se mund të kompensonte humbjet tregtare dhe ekonomike të daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, ende nuk është arritur me administratën e zotit Biden.
Një zyrtar amerikan tha se Shtëpia e Bardhë pret që marrëdhëniet e mira SHBA-Britani gjatë qeverisë së zotit Johnson të vazhdojnë edhe gjatë qeverisë së zonjës Truss dhe se Presidenti Biden dhe Kryeministrja Truss ka të ngjarë të jenë në një linjë në kundërshtimin e sulmit rus ndaj Ukrainës dhe ndikimin në rritje të Kinës në Indo-Paqësor.
Presidenti Biden pati një marrëdhënie të mirë me zotin Johnson, por ai mund të ketë tensione me zonjën Truss në lidhje me Irlandën e Veriut.
Si anëtare e parlamentit, ajo prezantoi legjislacionin për të zhbërë Protokollin e Irlandës së Veriut, i cili ishte pjesë e marrëveshjes së daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian. Protokolli i dha përparësi mbrojtjes së Marrëveshjes së Belfastit të vitit 1998 për paqen në rajonin e kontrolluar nga Britania.
Presidenti Biden ka këmbëngulur që Britania të mos bëjë asgjë që mund të rrezikojë paqen 25 vjeçare në Irlandën e Veriut.
Deklarata britanike mbi bisedën telefonike thotë se të dy udhëheqësit “ishin dakord për rëndësinë e mbrojtjes së Marrëveshjes së Belfastit”.
Zëvendës-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen e paqes të Irlandës së Veriut.
“Përparësi e Shteteve të Bashkuara mbetet mbrojtja e përfitimeve të Marrëveshjes së Belfastit dhe ruajtja e paqes, stabilitetit dhe begatisë për popullin e Irlandës së Veriut”, tha ai.
(Zëri i Amerikës)