Biden i bën thirrje botës ta mbështesë Ukrainën në luftën kundër agresionit rus

Nju Jork, 19 shtator 2023 – Presidenti amerikan, Joe Biden, u ka bërë thirrje liderëve botërorë që t’i qëndrojnë pranë Ukrainës e cila po lufton pushtimin rus.

“Rusia beson se bota do të lodhet dhe do ta lejojë atë që të jetë brutale ndaj Ukrainës, pa ndonjë pasojë”, ka thënë Biden, në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.

“Nëse e lejojmë Ukrainën të gërmohet, a është e sigurt pavarësia e ndonjë vendi?”, ka pyetur ai.

Biden ka thënë se e kupton detyrën që e ka shteti i tij në këtë moment kritik për botën.

“Shtetet e Bashkuara synojnë një botë më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë njerëzit, sepse ne e dimë që e ardhmja jonë është e lidhur me tuajën. Asnjë shtet nuk mund të përballet me sfidat e të sotmes, vetëm”, ka thënë ai.

Presidenti Biden u ka bërë vazhdimisht thirrje aleatëve të Shteteve të Bashkuara që ta mbështesin Ukrainën, duke theksuar se bota duhet t’i dërgojë sinjal të fortë presidentit rus, Vladimir Putin, se ai nuk do të mund t’i bëjë ballë Perëndimit. Ai është përballur me kritika nga disa republikanë, të cilët nuk dëshirojnë që Shtetet e Bashkuara të shpenzojnë shumë për këtë luftë. Ish-presidenti Donald Trump, kandidati kryesor për ta fituar nominimin e republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, është zotuar se shumë shpejt do t’i japë fund luftës në Ukrainë, nëse kthehet në pushtet.

Biden paralajmëron për rreziqet e inteligjencës artificiale

Mes tjerash, presidenti amerikan ka thënë se inteligjenca artificiale duhet të jetë “e sigurt” para se në të të ketë qasje publiku. Ai ka thënë se qeveritë duhet ta menaxhojnë këtë teknologji dhe jo e kundërta.

“Ne duhet të sigurohemi që i përdorim këto pajisje si diçka që na rrisin mundësitë, dhe jo si armë për shtypje”.

Javën e kaluar, liderët e teknologjisë, Elon Musk dhe Mark Zuckerberg, janë takuar në Kongresin amerikan për të biseduar për rregulloret teknologjike.

“Ndryshimet klimatike, kërcënim ekzistencial”

Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke i trajtuar ndryshimet klimatike si “kërcënim ekzistencial”.

Duke i renditur disa katastrofa natyrore – valë të të nxehtit në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë, zjarret pyjore në SHBA dhe Evropë, thatësinë në Afrikë dhe përmbytjet në Libi – Biden ka thënë se këto të gjitha së bashku japin shenjë se çfarë e pret botën nëse nuk ulet varësia nga lëndët djegëse të papërpunuara.

“Prej ditës së parë të administratës sime në Shtetet e Bashkuara, kjo krizë është trajtuar si kërcënim ekzistencial, jo vetëm për ne, por për gjithë njerëzimin”.

(REL)