Biden i premton Zelenskyt sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore

Uashington, 11 tetor 2022 – Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se do të vazhdojë mbështetjen për Kievin, pasi Ukraina u godit nga një valë vdekjeprurëse e sulmeve ajrore ruse.

Biden po ashtu u zotua se Rusia do të mbahet përgjegjëse për atë që ai i quajti “krime të luftës dhe mizori”.

Gjatë një bisede telefonike me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, Biden “dënoi sulmet ajrore të Rusisë në mbarë Ukrainën, përfshirë edhe në Kiev, dhe shprehu ngushëllime për familjarët e atyre që u vranë dhe u plagosën në këto sulme të pakuptimta”, tha Shtëpia e Bardhë në deklaratën e lëshuar më 10 tetor.

“Presidenti Biden u zotua se do të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës mbështetjen që i duhet për të mbrojtur veten, përfshirë edhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore”.

Në një deklaratë të mëhershme, Biden tha se sulmet ajrore tregojnë “brutalitetin absolut” të luftës së nisi presidenti rus, Vladimir Putin.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmet ajrore të Rusisë në mbarë Ukrainën, përfshirë në Kiev. Këto sulme vranë dhe plagosën civilë dhe shkatërruan caqe që nuk përdoren për qëllime ushtarake. Edhe një herë, këto sulme tregojnë brutalitetin absolut të luftës së paligjshme të Putinit ndaj popullit ukrainas”, tha Biden.

Sulmet ruse në infrastrukturën ukrainase dhe zonat e banuara ndodhën në qytete në mbarë vendin, përfshirë në Kiev, duke lënë të vrarë të paktën 19 persona dhe plagosur 105 të tjerë, tha Ministria e Brendshme e Ukrainës.

Rusia lëshoi 83 raketa në drejtim të Ukrainës dhe Kievi tha se arriti të rrëzonte mbi 43 raketa ruse.

Gjatë bisedës me Bidenin, Ukraina theksoi se mbrojtja ajrore “është prioriteti numër një i bashkëpunimit tonë të mbrojtjes”, shkroi Zelensky në Telegram.

Pas përshkallëzimit të fundit në luftën e paprovokuar ruse ndaj Ukrainës, liderët e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), pritet të zhvillojnë një takim virtual me Zelenskyn më vonë gjatë 11 tetorit.

Zelensky shkroi në Twitter se Uashingtoni po ashtu duhet të tregojë lidership dhe qëndrim më të ashpër nga G7 në dënimin e Rusisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mbajti një takim urgjent disa orë pas sulmeve ruse. Ambasadori i Ukrainës në OKB tha se Rusia ishte “shtet terrorist”.

“Rusia ka dëshmuar edhe një herë se është shtet terrorist dhe duhet të frenohet në mënyrat më të forta të mundshme”, tha ambasadori ukrainas, Serhiy Kyslytsya.

OKB-ja thirri takimin më 10 tetor për të diskutuar për një draft-rezolutë për dënimin e aneksimit të fundit nga Rusia të katër territoreve ukrainase, që përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Por, seanca u dominua nga dënimi i Rusisë, që lëshoi mbi 80 raketa drejt qyteteve ukrainase në shenjë hakmarrjeje për ato që Moska i cilëson si veprime “terroriste” të Kievit, përfshirë edhe shpërthimin që dëmtoi urën që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar. Kjo urë përdoret si rrugë për të dërguar furnizime dhe përforcime për forcat ruse që luftojnë në jug të Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se sulmet ishin “përshkallëzim i papranueshëm i luftës” nga Rusia.

Bashkimi Evropian tha se është kryer krim lufte, ndërkaq presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Moska po ushtron terror dhe brutalitet.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, që ka 193 anëtarë, vendosën që të mbajnë votim të hapur për rezolutën që dënon “referendumet e rreme” ruse në rajonet e pushtuara ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, por edhe “përpjekjet joligjore për aneksimin” e këtyre territoreve.

Diplomatët thanë se do të votojnë për këtë rezolutë më 12 tetor.

Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një takimi virtual me Këshillin e Sigurisë së Rusisë, tha më 10 tetor se sulmet ishin në përgjigje të veprimeve të Kievit, që ai i cilësoi si “terroriste”, përfshirë edhe dëmtimin e Urës së Krimesë, që lidh këtë gadishull të aneksuar ukrainas me Rusinë.

(REL)