Biden: Kam në plan të kandidoj, por ende nuk jam gati ta shpall zyrtarisht vendimin

Uashington, 10 prill 2023 – Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, njoftoi të hënën se ai ka në plan të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, por ende nuk është gati ta shpallë zyrtarisht vendimin.

“Kam në plan të kandidoj, por nuk jemi ende gati ta shpallim një vendim të tillë”, tha Presidenti Biden, në një deklaratë për emisionin “Today” të rrjetit televiziv NBC-së, përpara një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë lidhur me festën e Pashkëve.

Edhe nënpresidentja Kamala Harris ka thënë se edhe ajo do të kandidojë së bashku me Presidentin Biden.

Këshilltarët kryesorë të Shtëpisë së Bardhë pritet të marrin vendimin përfundimtar për nisjen e fushatës për rizgjedhje të zotit Biden, njoftoi “NBC News”, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara.

“Vendimi është marrë, por atij nuk i pëlqen trysnia që po i bëhet për ta shpallur vendimin të cilin ai tashmë e ka marrë”, ka thënë një burim që thuhet se është në dijeni të çështjes.

(r.m.)