Uashington, 13 prill 2024 – Presidenti amerikan Joe Biden do të kthehet në Uashington të shtunën pasdite për konsultime urgjente me ekipin e tij të sigurisë kombëtare, mes alarmit për një sulm të mundshëm të Iranit ndaj Izraelit
Zoti Biden e ndërpreu udhëtimin e tij të fundjavës në Delauer herët, tha Shtëpia e Bardhë të shtunën, për të diskutuar mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme. Teherani është zotuar të hakmerret për një sulm në Damask javën e kaluar nga i cili gjetën vdekjen një komandant i lartë i Gardës Revolucionare iraniane dhe gjashtë oficerë të tjerë, për të cilin Irani akuzon Izraelin.
Menjëherë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi ndryshimin e planeve të Presidentit Biden, Pentagoni tha se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin kishte folur me homologun e tij izraelit “për të diskutuar kërcënimet urgjente rajonale … dhe e bëri të qartë se Izraeli mund të mbështetet plotësisht tek Shtetet e Bashkuara për t’u mbrojtur nga çdo sulm i Iranit dhe grupeve të mbështetura prej tij.”
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për një sulm të masiv iranian ndaj Izraelit në përgjigje të sulmit izraelit në ambasadën e Iranit në Damask.
Mes tensioneve të shtuara, Garda Revolucionare e Iranit konfiskoi të shtunën një anije transporti që “lidhet me regjimin zionist (të Izraelit)” afër Ngushticës së Hormuzit” njoftuan mediat shtetërore në Teheran.
Më vonë, operatori i anijes, konsorciumi italiano-zvicerian “MSC” konfirmoi njoftimet se autoritetet iraniane kishin hipur në bordin e anijes së transportit.
Shtëpia e Bardhë kritikoi konfiskimin e anijes së transportit, e cila është pronë britanike.
“Ne bëjmë thirrje që Irani të lirojë anijen dhe personelin e saj menjëherë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adienne Watson.
“Konfiskimi pa provokim i anijeve civile është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe një veprim pirat nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike.”
Ndërkohë, Izraeli të shtunën vendosi të ndërpresë ekskursionet e shkollave dhe aktiviteteve të tjera për të rinjtë në ditët e ardhshme dhe vuri në gatishmëri të lartë forcat e tij ushtarake në përgjigje të kërcënimit për një sulm të mundshëm nga Irani.
Gjatë një konference televizive për shtypin, zëdhënësi i ushtrisë izraelit nënadmirali Daniel Hagari tha se dhjetëra avionë luftarakë po patrullojnë hapësirën ajrore në kuadër të masave të gatishmërisë së lartë.
Ai tha se “Irani do të vuajë pasojat nëse e përshkallëzon më tej situatën”.
“Izraeli është në gatishmëri të lartë. Ne kemi rritur gatishmërinë për të mbrojtur Izraelin nga agresioni i mëtejshëm iranian. Ne jemi gjithashtu të përgatitur të përgjigjemi”, shtoi zëdhënësi Hagari në një deklaratë video.
Të premten, zoti Biden paralajmëroi Iranin kundër veprimeve hakmarrëse edhe pse tha se një sulm i Iranit mund të jetë i afërt. “Ne jemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së Izraelit. Ne do ta mbështesim Izraelin. Ne do të ndihmojmë në mbrojtjen e Izraelit dhe Irani nuk do të ketë sukses”, tha ai.
Të enjten, Pentagoni tha se komandanti i forcave amerikane në Lindjen e Mesme ka shkuar në Izrael për bisedime mbi kërcënimet e sigurisë me udhëheqësit e ushtrisë izraelite.
Ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian dhe, sipas Administratës Amerikane të Informacionit mbi Energjinë, më shumë se një e pesta e konsumit vjetor të karburantit kalon përmes tij çdo vit.
(Zëri i Amerikës)