Biden: Lufta në Ukrainë nuk mbaron shpejt

Varshavë, 26 mars 2022 – Në përmbyllje të vizitës së tij dyditore në Poloni, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se Ukraina nuk duhet të frikësohet, pasi nuk do të jetë e vetme në luftën e saj.

“Në këtë betejë ne duhet t’i kemi sytë hapur. Kjo betejë nuk do të fitohet as për disa ditë e as për disa muaj. Ne duhet të forcojmë veten për luftën e gjatë përpara nesh”, tha Biden në fjalimin e tij nga Kështjella Mbretërore në Varshavë, një simbol i kryeqytetit polak që u rindërtua pasi u shkatërrua në masë të madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Biden tha se nuk ekziston asnjë justifikim për agresionin brutal të Rusisë në Ukrainë dhe theksoi se populli i Ukrainës po e mbron vendin e vet dhe vlerat demokratike.

“Ukraina dhe populli i saj janë në vijën e parë, duke luftuar për të shpëtuar kombin e tyre dhe rezistenca e tyre e guximshme është pjesë e një lufte më të madhe për parimet thelbësore demokratike që bashkojnë të gjithë njerëzit e lirë”, theksoi ai.

Presidenti Biden i bëri thirrje popullit rus që ta kundërshtojë regjimin e Vladimir Putinit, duke thënë se një lider si ai nuk meriton të jetë në udhëheqje.

“Më lejoni të them këtë, nëse jeni në gjendje të më dëgjoni. Ju, populli rus nuk jeni armiku ynë. Refuzoj të besoj se ju e mirëprisni vrasjen e fëmijëve dhe gjyshërve të pafajshëm. Ose që pranoni [shkatërrimin] e spitaleve, shkollave, materniteteve, për hir të Zotit, duke u goditur me raketa dhe bomba ruse”, tha Biden në mesazhin për popullin rus.

Biden i përcolli mesazh edhe Kremlinit. Ai porositi që të mos i shkojë në mendje të sulmojë asnjë centimetër të territorit të NATO-s dhe theksoi se në rast se e bën një gjë të tillë do të ketë konsekuenca të rënda.

Biden theksoi gjithashtu se agresioni i Rusisë në Ukrainë e ka bashkuar edhe më shumë Perëndimin.

Presidenti Biden bëri të qartë se konflikti aktual në Ukrainë – një shtet jo anëtar i NATO-s – nuk kërkon që Amerika të përfshihet drejtpërdrejt në luftë.

“Forcat amerikane nuk janë në Evropë për t’u përfshirë në konflikt me forcat ruse, forcat amerikane janë këtu për të mbrojtur aleatët e NATO-s”, tha ai.

Më herët, Presidenti amerikan e siguroi Poloninë se Shtetet e Bashkuara do të mbronin çdo pëllëmbë të NATO-s, në rast të një sulmi nga Rusia.

“Stabiliteti në Evropë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për sa i përket interesave tona jo vetëm në Evropë por në mbarë botën”, tha ai, gjatë një takimi me Presidentin polak, Andrzej Duda.

Biden tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë nenin 5 të Traktatit të NATO-s si një angazhim të shenjtë, duke shtuar se uniteti i aleancës ushtarake perëndimore ishte i një rëndësie të madhe. Neni 5, nënvizon një parim unik dhe të qëndrueshëm që lidh anëtarët e aleancës së bashku, duke i angazhuar ata të mbrojnë njëri-tjetrin.

Presidenti Biden tha se Polonia po e bart barrën më të madhe të krizës së refugjatëve të krijuar nga lufta në Ukrainë.

Gjatë vizitës së tij dyditore në Poloni, Presidenti Biden i takoi edhe dy ministrat kryesorë të Ukrainës, ministrin e Jashtëm, Dmytro Kuleba, dhe ministrin e Mbrojtjes, Oleksie Reznikov, të cilët i siguroi se Ukraina dptë ketë mbështetje më të madhe ushtarake.

Biden vizitoni edhe një qendër ku janë të strehuar refugjatët ukrainas në Varshavë.

(Sipas REL)

 

2 Responses to “Biden: Lufta në Ukrainë nuk mbaron shpejt”

Read below or add a comment...

  1. Sali Bollati-Çam Shqiptaro Amerikan says:

    Ne Traktatin e NATO-s shkruhet:
    “Neni 5, nënvizon një parim unik dhe të qëndrueshëm që lidh anëtarët e aleancës së bashku, duke i angazhuar ata të mbrojnë njëri-tjetrin.”

    Nuk e kuptoj se si dy vende si Shqiperia dhe Greqia qe jane te dyja antare te NATO-s; por simbas Greqise ajo prej 82 vjetesh (simbas saje) eshte ne gjendje lufte me Shqiperine??!
    A nuk e di NATO ate ABSURDITET allagrek megjithese kisha ortodokse greke(faktikisht komanduese atje) e ka dekoruar kryeministrin e sotem te Shqiperise si Simbol te helenizmit grek?!

  2. Sali Bollati-Çam Shqiptaro Ameriikan says:

    Ne Traktatin e NATO-s shkruhet:
    “Neni 5, nënvizon një parim unik dhe të qëndrueshëm që lidh anëtarët e aleancës së bashku, duke i angazhuar ata të mbrojnë njëri-tjetrin.”

    Nuk e kuptoj se si dy vende si Shqiperia dhe Greqia qe jane te dyja antare te NATO-s; por simbas Greqise ajo prej 82 vjetesh (simbas saje) eshte ne gjendje lufte me Shqiperine??!
    A nuk e di NATO ate ABSURDITET allagrek megjithese kisha ortodokse greke(faktikisht komanduese atje) e ka dekoruar kryeministrin e sotem te Shqiperise si Simbol te helenizmit grek?!