Uashington, 19 korrik 2022 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, Biden ka theksuar se vendimi i Bashkimit Evropian vjen në një moment të rëndësishëm për lirinë e paqen në Evropë.
“Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion”, thuhet në deklaratën e Presidentit Biden.
“Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratë, e cika është shpërndarë edhe nga ambasada e SHBA-së në Shqipëri.
Deklarata e plotë:
Shtetet e Bashkuara mirëpresin hapat e rëndësishëm që Bashkimi Evropian po ndërmerr për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euro-atlantik, duke hapur bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në një moment kur Rusia e ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm, ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit.
Hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet t’i frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon për të rritur angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre.
(r.m.)