Biden: Në takimin me Putinin, do të mbështes sovranitetin e Ukrainës

Uashington,8 qershor 2021 – Presidenti amerikan Joe Biden, i tha të hënën Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy se ai do të mbrojë çështjen e sovranitetin dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve se të dy udhëheqësit biseduan rreth marrëdhënieve dypalëshe gjatë një telefonate që i paraprin udhëtimit të Presidentit Biden në Evropë.

“Ata patën mundësinë të flisnin gjerësisht për të gjitha çështjet në marrëdhëniet SHBA-Ukrainë dhe Presidenti Biden i tha Presidentit Zelensky se ai do t’i qëndrojë fort çështjes së sovranitetit të Ukrainës, integritetin territorial dhe aspiratave të vendit për të ardhmen”, tha zoti Sullivan, citon Zëri i Amerikës.

Presidenti Biden pritet të takohen me Presidentin rus Putin në Gjenevë, më  16 qershor. Ky takim zhvillohet mes mosmarrëveshjesh të mprehta për  ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e SHBA-së, të drejtat e njeriut në Rusi dhe Ukrainën.

Gjatë telefonatës së tij të parë me zotin Zelenskiy pas marrjes së detyrës, Presidenti Biden i ofroi Ukrainës “mbështetjen e tij të palëkundur”, ndërsa Rusia po forconte praninë ushtarake në kufirin lindor të Ukrainës, situatë kjo që shqetësoi Kievin dhe mbështetësit e tij perëndimorë.

Mykhailo Podolyak, një këshilltar i Shefit të Shtabit të zotit Zelenskiy, tha se udhëheqësi ukrainas dhe Presidenti Biden koordinuan pozicionet e tyre politike.

Në një postim në Twitter, zoti Zelenskiy shkruante se gjatë telefonatës u trajtuan gjithashtu edhe synimet e Ukrainës për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s si dhe gazsjellësit rus “Nord Stream 2”.

Uashingtoni ka qenë aleati më i fuqishëm i Ukrainës që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, megjithëse Kievi u befasua nga vendimi i administratës Biden për të hequr dorë nga sanksionet ndaj kompanisë që qëndron pas gazsjellësit rus “Nord Stream 2”. Javën e kaluar, zoti Zelenskiy i tha faqes se lajmeve amerikane “Axios” se ishte “i befasuar” dhe “i zhgënjyer” nga vendimi.

Ukraina kishte shpresuar gjithashtu që aleatët e saj perëndimorë do të bënin një përpjekje të re për ta pranuar atë në aleancën ushtarake të NATO-s, ndërsa Rusia po e rriste praninë e trupave ushtarake në kufi. Ajo është zhgënjyer që nuk është ftuar në samitin e aleancës që zhvillohet këtë muaj.

(r.m.)