Biden: Njohja e ndërsjellë do të siguronte të ardhme më paqësore dhe të begatë për Kosovën dhe Serbinë

Uashington, 17 shkurt 2023 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka uruar Kosovën për 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, duke u zotuar se Uashingtoni do të vazhdojë mbështetjen për Prishtinën.

Në letrën dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Biden ka shprehur mbështetjen e tij për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve me Serbinë. Ne mirëpresim pranimin e propozimit të BE-së për normalizim, me synimin përfundimtar të njohjes reciproke, që do të ndihmonte të arrihej një e ardhme më paqësore dhe prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e Presidentit Biden.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj me 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, Serbia, e cila mbështetet nga Rusia, vazhdon ta kundërshtojë atë.

Diplomatët amerikanë dhe ata të Bashkimit Evropian janë vënë në përpjekje për të ndërmjetësuar një zgjidhje sipas një propozimi evropian që nuk parasheh njohje të ndërsjellë, nga frika se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan.

Udhëheqësit e të dyja vendeve thanë se e pranojë në parim propozimin, sipas të cilit palët nuk duhet të pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

(r.m.)