Phoenix (Arizona), 7 dhjetor 2022 – Administrata e presidentit Biden po nxit prodhimin vendor të mikroprocesorëve duke dhënë më shumë se 50 miliardë dollarë subvencione përmes një ligji të ri, të sapo miratuar në këtë fushë.
Vizita e presidentit në fabrikën që po ndërtohet nga gjigandi tajvanez ‘TSMC’ u bë pasi u njoftua se kompania do të trefishonte investimin e saj në Phoenix.
“Këta janë mikroprocesorët më të avancuar në planet që do të fuqizojnë telefonat ‘iPhone’ dhe kompjuterat ‘MacBook’. Aktualisht ‘Apple’ duhet t’i blejë të gjithë mikroprocesorët nga jashtë. Kjo do të bëjë një ndryshim të madh”, tha presidenti amerikan, Joe Biden.
Firmat amerikane ka kohë që i sigurojnë mikroprocesorët nga firma jashtë shtetit, veçanërisht me ‘TSMC-në’, prodhuesin më të madh në botë.
Thirrjet për ndryshim u rritën kur SHBA-ja u përball me mungesë mikroprocesorësh gjatë pandemisë së “COVID-19”.
Kina e sheh Tajvanin si pjesë të territorit të saj dhe SHBA është e shqetësuar për mundësinë e sigurimit të mikroprocesorëve të nevojshëm për kompjutera, telefona, makina, avionët luftarakë dhe përdorime të tjera.
Përpara vizitës së zotit Biden, ‘TSMC’ njoftoi se deri në vitin 2026 do të fillonte prodhimin e teknologjisë së mikroprocesorëve të avancuar, që ofrojnë shpejtësi më të madhe dhe përdorin më pak energji.
“Kjo fabrikë e prodhimit të teknologjisë së fundit është dëshmi se ‘TSMC’ po bën një hap gjigant para për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi energjik të mikroprocesorëve në Shtetet e Bashkuara”, tha presidenti i kompanisë tajvaneze, “TSMC”.
Kjo kompani thotë se do e shtojë numrin e punëtorëve nga 2000 sa ishte në 4500.
(Zëri i Amerikës)