Biden pritet të nominojë një grua me ngjyrë në Gjykatën Supreme

Uashington, 27 janar 2022 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do ta mbajë premtimin e dhënë gjatë fushatës zgjedhore dhe ta nominojë gruan e parë me ngjyrë në Gjykatën Supreme, tha Shtëpia e Bardhë.

Gjykatësi liberal i Supremes, Stephen Breyer planifikon të pensionohet në qershor, njoftuan ligjvënësit. Kjo i jep mundësinë e parë Bidenit që të bëjë ndryshime në gjykatën më të lartë të shtetit.

Pensionimi i Breyer, 83 vjeç, që ka shërbyer në Gjykatën Supreme që nga viti 1994, nuk do ta ndryshojë balancën ideologjike të gjykatës.

Megjithatë, Biden do të jetë në gjendje të emërojë një juriste më të re, që mund të shërbejë për dekada të tëra, pasi emërimi në këtë post ka mandat të përjetshëm.

Ish-presidenti Donald Trump i emëroi tre juristë gjatë kohës sa ishte në zyre, duke bërë që gjykata të ketë një shumicë konservative prej 6-3.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se Biden “natyrisht se qëndron” pas premtimit të bërë gjatë fushatës presidenciale për të emëruar një grua me ngjyrë në Gjykatën Supreme.

As Shtëpia e Bardhë dhe as Gjykata Supreme nuk kanë konfirmuar planet e Breyer për t’u pensionuar, por njoftimi zyrtar pritet të bëhet më 27 janar.

Demokratët do të duhet ta miratojnë emërimin e kandidates së tyre përmes Senatit, institucion që miraton emërimin e gjykatësve, para zgjedhjeve të Kongresit më 8 nëntor.

Demokratët aktualisht kanë një shumicë të ngushtë në Senat dhe mund ta humbin shumicën gjatë zgjedhjeve të ardhshme.

Mitch McConnell, republikani kryesor në Senat, tha se ai do të bllokojë çdo nominim të Bidenit për Gjykatën Supreme, nëse partia e tij rifiton shumicën.

Ndërkaq, lideri i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer tha se nominimi i Bidenit për të zëvendësuar Breyerin do të konfirmohet në Senat “me shpejtësi”.

Emërimi i një gruaje me ngjyrë në gjykatë do të bënte që Supremja të kishte katër gjyqtare dhe dy persona me ngjyrë që do të shërbenin në të njëjtën kohë.

Gjykata Supreme ka nëntë anëtarë dhe gjykatësi, Clarence Thomas aktualisht është i vetmi gjykatës me ngjyrë dhe i dyti i zgjedhur në historinë amerikane.

(REL)