Varshavë, 21 shkurt 2023 –Pak ditë para njëvjetorit të fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë.
“Një diktator i prirë që të rindërtojë një perandori kurrë nuk do të jetë në gjendje të shtypë dashurinë e njerëzve për lirinë, brutaliteti kurrë nuk do të shkatërrojë vullnetin e të lirëve. Ukraina kurrë nuk do të jetë një fitore për Rusinë, kurrë”, tha Biden para qytetarëve të mbledhur jashtë Kështjellës Mbretërore në Varshavë.
Biden e paralajmëroi Rusinë se do të përballej me një përgjigje të fuqishme ushtarake, nëse e sulmon ndonjë shtet të NATO-s.
“Të mos ketë asnjë dyshim se përkushtimi i SHBA-së për aleancën tonë të NATO-s dhe për Nenin 5 është i fortë”, theksoi Biden, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Çdo shtet anëtar i NATO-s e di dhe Rusia e di mirë po ashtu. Çdo sulm ndaj ndonjërit prej nesh është sulm ndaj të gjithë neve. Është një betim i shenjtë për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, theksoi ai.
Presidenti Biden foli edhe akuzat e presidentit rus, Vladimir Putin, se Perëndimi, me mbështetjen e Ukrainës, “po e kërcënon ekzistencën e Rusisë”.
“Perëndimi nuk po planifikon që ta sulmojë Rusinë, siç tha [presidenti rus, Vladimir] Putin sot. Miliona qytetarë rusë që dëshirojnë të jetojnë në paqe me fqinjët e tyre, nuk janë armiqtë”, tha Biden.
Biden riafirmoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë evropiane edhe gjatë takimit me homologun e tij polak, Andrzej Duda, në Varshavë.
Vizita e Bidenit në Varshavë është pjesë e një serie të konsultimeve me aleatët për t’u përgatitur për një fazë më të ndërlikuar të pushtimit rus të Ukrainës, që ka nisur pothuajse një vit më parë.
“Duhet të kemi siguri në Evropë”, tha Biden gjatë takimit me presidentin polak. “Është kaq bazike, kaq e thjeshtë, kaq e rëndishsme”.
Biden tha se NATO është “ndoshta aleanca më e rëndësishme në histori”, duke shtuar se ajo është “më e fortë se kurrë më parë” pavarësisht shpresave të presidentit rus, Vladimir Putin, se aleanca ushtarake perëndimore do të ndahej pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Po ashtu, presidenti amerikan tha se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën vazhdon të jetë e fortë.
“Siç i thash presidentit [të Ukrainës, Volodymyr] Zelensky, kur fola me të në Kiev dje, mund të them se mbështetja jonë për Ukrainën vazhdon të jetë e palëkundur”, tha presidenti amerikan, Joe Biden.
Ndërkaq, presidenti polak tha se vizita e Bidenit në Poloni është një sinjal i rëndësishëm për përkushtimin e SHBA-së që të mbajë sigurinë në Evropë.
“Vizita juaj është një sinjal i rëndësishëm i sigurisë, një sinjal i përgjegjësisë së SHBA-së për sigurinë e botës dhe Evropës. Amerika mund ta mbajë rregullin botëror”, tha Duda gjatë takimit dypalësh me Bidenin.
Vizita e Bidenit në Varshavë vjen pasi ai një ditë më parë vizitoi Kievin, ku qëndroi mbi pesë orë.
Vizita e paparalajmëruar në Ukrainë – e para prej se Rusia nisi pushtimin e këtij vendi gati një vit më parë – nënvizoi edhe një herë bështetjen e Uashingtonit për Kievin.
Biden u takua më 20 shkurt me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Pallatin Mariyinskiy në qendër të kryeqytetit ukrainas.
“Një vit më vonë, Kievi qëndron në këmbë”, tha Biden, duke folur nga një podium i dekoruar me flamuj të SHBA-së dhe Ukrainës.
“Dhe, Ukraina qëndron në këmbë. Demokracia qëndron. Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju”.
“Ukraina qëndron në këmbë. Demokracia qëndron. Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju”, tha ai.
Ai shtoi se SHBA-ja po përgatit një dërgesë të re të “pajisjeve kritike” për Ukrainën, e cila, siç tha, do të përfshijë municione artilerie dhe radarë të mbikëqyrjes ajrore, në vlerë prej 500 milionë dollarësh. Biden paralajmëroi edhe sanksione të reja kundër shtetit rus.
SHBA-ja është ndër ofruesit më të mëdhenj të ndihmave për ushtrinë ukrainase. Që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt të vitit të kaluar, Uashingtoni i ka dërguar pajisje mbrojtëse dhe logjistike në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh.
(r.m.)