Madrid, 29 qershor 2022 – Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të shtojnë forcat dhe pajisjet ushtarake në të gjithë Evropën, në përgjigje të kërcënimeve nga Rusia.
Duke folur gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ai nënvizoi përkushtimin e aleancës për të mbrojtur “çdo pëllëmbë të territorit të saj”.
Great to meet @POTUS again at our #NATOSummit, where we will take transformative decisions to keep #NATO strong & united in a more competitive world. I thanked him for his decisive leadership, strong support for #Ukraine & the vital 🇺🇸 contributions to European security in NATO. pic.twitter.com/a0adIvaVwW
— Jens Stoltenberg (@jensstoltenberg) June 29, 2022
“Shtetet e Bashkuara do të forcojnë praninë në Evropë si përgjigje ndaj ndryshimit të mjedisit të sigurisë dhe për të forcuar sigurinë tonë kolektive. Më herët gjatë viti ne bëmë gati 20 mijë trupa shtesë për Evropën për të përforcuar aleancën si përgjigje ndaj veprimit agresiv të Rusisë, duke e çuar në 100 mijë numrin e forcave tona në Evropë. Do të vazhdojmë ta përshtasim praninë tonë përballë kërcënimeve në këshillim të ngushtë me aleatët tanë”.
Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të shtojnë praninë e luftanijeve në Spanjë, do të vendosin një bazë të përhershme, trupa shtesë në Rumani, në Baltik, dy skuadrilje shtesë të avionëve F-35 në Britaninë e Madhe dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Gjermani dhe në Itali.
“Do të miratojmë konceptin e ri strategjik të NATO-s dhe të ritheksojmë unitetin dhe përkushtimin e aleancës për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha presidenti Biden.
Ai theksoi se në dritën e agresionit rus në Ukrainë, u dëshmua se “NATO-ja është më nevojshme se sa kurrë dhe është më e rëndësishme se kurrë”.
Udhëheqësit e NATO-s janë mbledhur në Madrid, në takimin e nivelit të lartë që do të përfshijë diskutimin e mbështetjes për Ukrainën dhe mënyrën se si aleanca do të përshtatet për të përballuar sfidat aktuale dhe ato të së ardhmes.
(Zëri i Amerikës)