Biden zhbllokon një pjesë të rezervave afgane

Uashington, 11 shkurt 2022 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të zhbllokuar rreth 7 miliardë dollarë të rezervave afgane, që ishin ngrirë pasi talibanët morën kontrollin e shtetit gushtin e vitit të kaluar.

SHBA-ja do të krijojë një fond në muajt në vazhdim, që do të administrojë gjysmën e 7 miliardë dollarëve, thanë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Pjesa e mbetur prej 3.5 miliardë dollarëve do të qëndrojë në SHBA dhe do të përdoret për të financuar dëmshpërblimin e viktimave amerikane të terrorizmit, përfshirë edhe për pretendimet ndaj talibanëve nga familjet e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.

Në urdhrin ekzekutiv të Bidenit theksohet “kriza e madhe humanitare në Afganistan – përfshirë edhe nevoja urgjente për siguri të ushqimit të popullit të Afganistanit, mbështetjen jetësore, të ujit, të shëndetësisë, higjienës, strehimit dhe mbështetjen e vendbanimeve, mbështetjen e lidhur me COVID-19 dhe nevoja të tjera bazike njerëzore”.

Biden tha se rezervat e Bankës Qendrore të Afganistanit, që mbahen në institucionet financiare amerikane, do të përdoren për të “adresuar emergjencën kombëtare dhe mirëqenien e popullit të Afganistanit”.

Urdhri i Bidenit kërkon që fondet e Bankës Qendrore afgane të dërgohen në një llogari të Rezervës Federale të Nju-Jorkut. Zyrtarët amerikanë thonë se shumica e aseteve të ngrira afgane në SHBA, do të përdoren për ndihmë.

Shtëpia e Bardhë është përballur me presion për të zhbllokuar fondet për të ndihmuar afganët, të cilët po përballen me krizë ekonomike dhe financiare, që po kërcënon mbi gjysmë e popullsisë me uri.

Gjatë kësaj jave, zyrtarët talibanë po mbajnë bisedime në Gjenevë me organizatat ndërkombëtare, për të kërkuar qasje në ndihmën humanitare, që është ndaluar, pasi qeveria de fakto në Kabul nuk është njohur nga asnjë qeveri në botë, për shkak të shqetësimeve për të drejtat dhe liritë e njeriut.

Afganistani ka mbi 9 miliardë dollarë rezerva, përfshirë edhe mbi 7 miliardë dollarë rezerva që mbahen në SHBA. Pjesa tjetër e rezervave gjenden në Gjermani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Zvicër dhe Katar.

(REL)