Uashington, 1 mars 2022 – Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në fjalimin e tij e përvitshëm që do ta mbajë në Kongres, të martën pasdite, pritet t’u kushtojë një vëmendje të veçantë agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe masave që janë ndërmarrë kundër Moskës dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Shtëpia e Bardhë ka publikuar pjesë të fjalimit në të cilat shprehet vendosmëria e Presidentit Biden dhe administratës së tij për të detyruar Putinin që të heqë dorë nga agresioni.
“Gjatë historisë e kemi mësuar mësimin se kur diktatorët nuk e paguajnë çmimin për agresionin e tyre, shkaktojnë kaos edhe më të madh. Ata vazhdojnë veprimet e tyre, ndërsa kostoja dhe kërcënimet ndaj Amerikës dhe ndaj botës vazhdimisht rriten”, thuhet në fjalim.
Në një pjesë të fjalimit, Presidenti Biden thotë se presidenti rus shpërfilli përpjekjet diplomatike për parandalimin e agresionit në Ukrainë, duke menduar se Perëndimi dhe NATO nuk do të ishin bashkë dhe nuk do të reagonin.
“Lufta (në Ukrainë) e paprovokuar nga asgjë, është e organizuar dhe e paramenduar nga Putini. Ai i shpërfilli përpjekjet diplomatike. Mendoi se Perëndimi dhe NATO nuk do të reagonin fare. Madje, mendoi se mund të na përçante edhe këtu, në këtë shtëpi (Kongres). Putini gaboi. Ne ishim të përgatitur”, shprehet Biden.
Në fjalimin e tij flet edhe për rolin e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në botë.
“NATO është krijuar për këtë qëllim, që të sigurojë paqe dhe stabilitet pas Luftës së Dytë Botërore. E përbëjnë Shtetet e Bashkuara dhe 29 shtete të tjera”, thuhet në fjalim.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se Presidenti Biden do të flasë edhe për përpjekjet që po bën për përballimin e agresionit rus.
“Do të flassë për masat që i kemi ndërmarrë, jo vetëm për mbështetjen ushtarake e ekonomike për popullin e Ukrainës, por edhe për krijimine koalicionit global që sanksionon presidentin rus, Vladimir Putin, e bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, si edhe ekonominë ruse. Gjithashtu, do të tregojë veprimet që janë ndërmarrë për të minimizuar efektet e invazionit rus për ekonominë globale dhe për popullin amerikan”, është shprehur Jen Psaki.
Veprimet e Presidentit Biden lidhur me agresionin rus në Ukrainë janë mbështetur nga të dyja palët në Kongres, demokratët dhe republikanët.
Lideri i republikanëve, Mich McConnell, ka thënë se Presidenti Biden e ka mbështetjen e plotë lidhur me veprimet që kanë të bëjnë me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Zëdhënësja Psaki ka thënë se Presidenti Biden po e përmbush premtimin e dhënë gjatë fushatës zgjedhore se Shteteve të Bashkuara do t’ua rikthejë rolin e liderit global.
“Ju e dini se, gjatë fushatës presidenciale, ai ka thënë se dëshiron t’ia kthejë Amerikës rolin e vendit lider në botë dhe se udhëheqësit e tjerë anembanë botës do të mund t’u besojnë fjalës dhe angazhimeve të Shteteve të Bashkuara. Ajo që kemi parë gjatë muajve të fundit dëshmon se Presidenti e ka përmbushur këtë premtim”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
(Sipas Zërit të Amerikës dhe AFP)