Bie ndjeshëm vlera e rublës ruse

Moskë, 26 qershor 2023 – Rusia i ka hapur të hënën tregjet financiare, duke e tregtuar rublën në shkallën më të ulët në 15 muajt e fundit kundrejt dollarit amerikan.

Në mëngjesin e së hënës, vlera e rublës ka qenë 2.1 për qind më e vogël – 86.5 kundrejt dollarit amerikan.

Vlera e rublës ka qenë më e ulët vetëm në mars të vitit 2022 – pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë – 87.2.

Rubla nuk tregtohet përgjatë vikendit, dhe e hëna ka qenë dita e parë kur është tregtuar valuta ruse, pas zhvillimeve të 24 qershorit në Rusi.

Atë ditë, mercenarët rusë të grupit Wagner, në krye me Yevgeny Prigozhinin, janë nisur nga Ukraina drejt Rusisë dhe kanë fituar kontrollin e qytetit jugor Rostov-on-Don.

Prigozhin ka deklaruar se dëshiron të rrëzojë nga pushteti krerët e sektorit të mbrojtjes në Rusi.

Teksa mercenarët kanë qenë në rrugë drejt Moskës, Prigozhin u ka dhënë urdhër për ta ndërprerë operacionin.

Bjellorusia ka thënë se e ka ndërmjetësuar një marrëveshje që parasheh largimin e Prigozhinit në Bjellorusi dhe kthimin e mercenarëve të Wagnerit në bazat e tyre.

Instituti për Studime të Luftës, me seli në Uashington, ka thënë të dielën se rebelimi i Wagnerit kundër udhëheqësisë ruse, ka shpërfaqur “dobësi të thella” të sistemit rus të sigurisë.

(REL)