JULIAN RÖPCKE, BILD
“A po shpërthen një luftë e re në Ballkan?“
Mosmarrëveshja mbi targat midis Serbisë dhe Kosovës mund të shndërrohen në një konflikt të ri të armatosur midis aleatëve të Rusisë në Beograd dhe qeverisë në Prishtinë të mbrojtur nga NATO, brenda pak orësh.
“Të dielën në mbrëmje, Serbia e vuri në gatishmëri pjesë të ushtrisë së saj.
Arsyeja e tensionit: Që nga mesi i shtatorit, vizitorëve serbë në kufi me Kosovën u është dashur t’i ndërrojnë targat e tyre me targa të përkohshme kosovare, për të shkuar në Kosovë.
Qeveria në Prishtinë e mori këtë vendim për shkak se Serbia nga ana e saj nuk i njeh targat e Kosovës, qysh prej shpalljes së pavarësisë, më 2008.
Por, serbët kosovarë refuzojnë t’i ndërrojnë targat e tyre. Për këtë arsye, një javë më parë, Qeveria e Kosovës e dërgoi një njësi speciale të policisë në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, për ta zbatuar vendimin për targat.
Serbët e Kosovës i bllokuan dy rrugët më të rëndësishme për në Mitrovicë, qytetin ku jeton numri më i madh i pakicës serbe në Kosovë.
Asgjë për t’u shqetësuar, mund të mendojë dikush. Por, Beogradi, i cili është armatosur shumë nga Moska, i sheh ndryshe gjërat.
Ushtria serbe ka ditë që në kufi me Kosovën i ka vënë në lëvizje tanket, duke folur për një “provokim” nga Kosova, ndaj të cilit ajo thotë se do të reagojë. Dje, mbi zonën kufitare fluturuan ulët avionët luftarakë rusë MiG-29, gjë që u përshëndet me brohoritje nga serbët në Kosovë.
Në mbrëmje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij “do të luftojë për popullin tonë”. “Nëse nuk luftojmë, nuk mund të arrijmë asgjë”, tha Vuçiq.
Kjo është arsyeja që, të dielën në mbrëmje, ai e thirri Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe aleancës ushtarake ia përcolli personalisht një ultimatum për t’i dhënë fund “pogromit” kundër bashkatdhetarëve të tij në Kosovë.
Vuçiq u kërcënua: “Ne do të presim 24 orë për të parë se si do të reagojë NATO, nëse do të ketë pogrom kundër serbëve. Nëse pogromi kundër popullit tonë vazhdon, Serbia do të reagojë dhe nuk do ta lejojë këtë”.
Ekspertët e shohin edhe një rol aktiv të Rusisë në konflikt. Kremlini nuk e njeh Kosovën si shtet dhe vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të Serbisë. Eksperti rus, Jakub Janda, nga “Qendra Evropiane e Vlerave për Politikat e Sigurisë” në Pragë, tha për “BILD” se nuk duhet harruar se “Serbia është një aleate e ngushtë e Rusisë. Jo vetëm ushtarakisht, por edhe ekonomikisht dhe nga identiteti i përbashkët i krijuar”.
Janda paralajmëron: “Ajo që ne po shohim aktualisht është një përshkallëzim kundër Kosovës, në të cilin Serbia dhe presidenti Vuçiq po i rrisin aksionet e tyre politike. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mburojën diplomatike dhe ushtarake të Rusisë. Rusia dëshiron që Ballkani Perëndimor të destabilizohet, dhe unë mendoj që Kremlini ka përgjegjësi për tensionet aktuale në Kosovë”.
NATO po i shton patrullat
Të hënën, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, iu përgjigj kërcënimeve të Serbisë. “Numri dhe kohëzgjatja e patrullimeve rutinore është rritur në gjithë Kosovën, përfshirë Kosovën veriore”, tha një zëdhënës i Aleancës, për “BILD”.
KFOR-i “e monitoron nga afër situatën në gjithë Kosovën dhe vazhdon të fokusohet në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.
Të dielën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “nevojën e de-eskalimit në Kosovën veriore”.
Megjithatë, të hënën Serbia dërgoi më shumë njësi ushtarake në kufi me Kosovën. Automjetet rezistente ndaj minave dhe transportuesit e blinduar të personelit u pozicionuan vetëm tri kilometra larg vendkalimit kufitar të Jarinjës, siç ishte në gjendje të konfirmonte “BILD”.
(r.m.)