Bildt: Grumbullim masiv i forcave ruse pranë Ukrainës, Evropa nuk ka parë diçka të tillë me dekada

Stokholm, 24 janar 2022 – Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë, Carl Bildt, ka shpërndarë në Twitter një videoregjistrim që dëshmon për grumbullim të forcave të mëdha të Rusisë në drejtim të Ukrainës. Në videoregjistrimin që është publikuar në “Tik-tok” shihet një kompozicion shumë i gjatë i vagonave të trenit që transportojnë tanke drejt kufirit me Urkrainën.

Bildt ka thënë se bëhet fjalë për një përqendrim të forcave ushtarake të përmasave çfarë Evropa nuk ka parë prej dekadash.

“Grumbullim masiv i forcave të Rusisë drejr Ukrainës. Këtu janë tanket e vjetër T72 në rrugën e tyre drejt zones së konfrontimit. Europa nuk ka parë për dekada një përqendrim të forcave ushtarake të këtyre përmasave”, ka shkruar ai në Twitter.

Ditë më parë, Bildt ka shprehur shqetësimin lidhur me planet e Rusisë për Ukrainën. Ai ka paralajmëruar se, në rast të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në Evropë do të ndodhë një luftë e madhe, me pasoja të paparashikueshme, sepse lufta nuk do të kufizohej vetëm brenda territorit të Ukrainës.

“Nëse ndodh pushtimi i Ukrainës nga Rusia, do të ndodhë një luftë e madhe evropiane, me pasoja shumë të rënda. Nuk ka gjasa që ajo të kufizohet vetëm brenda territorit të Ukrainës”, ka shkruar Carl Bildt.

(r.m.)